Ndërlidhjet

logo-print
Përderisa në mbarë botë sot shënohet Dita e të Drejtave të Fëmijëve, në Kosovë, shumë fëmijë janë të angazhuar me punë, të cilat janë në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, thonë zyrtarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Bexhet Shala, zyrtar në këtë këshill, thotë se shkelja e të drejtave të fëmijëve është evidente në Kosovë, kur kihet parasysh se një numër i tyre, për shkak të gjendjes materiale, janë të detyruar të punojnë punë që janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

“Ata nuk e kanë një shkollim cilësor, ngase nuk kanë kushte për mësim. Ata nuk kanë mbrojtje as në shkollë, as në rrugë e as në shtëpi”, thotë Shala.

Sipas tij, shumë fëmijë janë të detyruar të lypin lëmoshë nëpër rrugë. Shala thotë se qëndrimi në rrugë, qoftë për të punuar, qoftë për të lypur, në shumë raste ka shkaktuar largimin e tyre nga shkolla.

“Jemi dëshmitarë se fëmijët dalin të lypin në rrugë, që t’i ndihmojnë familjet e tyre. Për dallim nga fëmijët e shteteve evropiane, fëmijët e Kosovës nuk e kanë një ardhmëri të qartë”,
thekson Shala, për të shtuar se institutcionet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet në këtë aspekt.

Në anën tjetër, Habit Hajredini, zyrtar në Qeverinë e Kosovës, thotë se gjendja me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, nuk është shumë problematike.

“Mund të themi se gjendja nuk është aq problematike, duke u nisur nga ajo që probleme të shumta janë ato ekonomike, sociale...”
, thotë ai.

Hjaredini bën të ditur se tashmë është lansuar një fushatë që u dedikohet të drejtave të fëmijëve në përgjithësi, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi te qytetarët dhe institutcionet e vendit.

Por, Arbena Kuriu, nga UNICEF-i, thotë se në bazë të hulumtimeve, një në pesë fëmijë jeton në varfëri dhe për pasojë, shton ajo, ata braktisin shkollat dhe dalin në rrugë për të punuar.

“Varfëria është një çështje që i bën fëmijët ta braktisin shkollën, për t’u angazhuar në punë. Kjo ndikon në shëndetin e tyre dhe u shkelen të drejtat”, thotë Kuriu.

Sidoqoftë, zyrtari për të drejtat e njeriut, zoti Shala, thotë se që nga viti 1999 nuk është bërë asnjë hulumtim, qoftë nga institucionet qeveritare, qoftë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, lidhur me shkaqet që çojnë drejt shkeljes së të drejtave të tyre.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG