Ndërlidhjet

Refuzimi i kredisë dëmton imazhin e Kosovës


Kuvendi i Kosovës dje nuk ka arritur të ratifikojë marrëveshjen për një kredi nga Banka Botërore, e cila ishte nënshkruar në muajin mars. Lidhur me këtë kanë reaguar ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, refuzimi i kësaj kredie është pasojë e mosseriozitetit të autoriteteve kompetente karshi Bankës Botërore. Ata thonë se mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje dëmton edhe imazhin e Kosovës.



Mosratifikimi i kredisë së Bankës Botërore nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, për ekspertët e çështjeve ekonomike është vendim i gabuar, sepse me këtë rast, Kosova, sipas tyre, ka humbur krediblitetin karshi institucioneve monetare ndërkombëtare.

Dje, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur shumicën e votave të deputetëve për ta ratifikuar marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim, IDA, institucion ky që është pjesë e Bankës Botërore.

Banka Botërore, në mars të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë për dhënien e një kredie prej 11.14 milionë dollarësh, me zero për qind interes, si dhe një donacioni prej 8 milionë dollarësh.

Lekë Musa, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje tregon joseriozitetin e institucioneve kosovare karshi institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Ata tashmë e shohin se ne nuk jemi shumë seriozë. Natyrisht se do të ketë impakt shumë të madh edhe te kreditë tjera potenciale, në të cilat Kosova do të ishte në gjendje të hyjë”.

“Do të thotë, një moskoordinim mes Parlamentit dhe institucioneve të tjera nuk çon një sinjal pozitiv tek institucionet, të cilave Kosova mund t’iu ofrohet, për të pasur burime financiare për projektet në të ardhmen”,
deklaron Musa.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se nuk është koha që të bëhen, siç shprehet ai, eksperimente me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, e sidomos me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse një gjë e tillë, shton ai, do të reflektohet në proceset e ardhshme.

“Shumë më e rrugës do të ishte që të prolongohet një vendim i tillë, që të debatohet për destinimin dhe për alokimin e parave, sesa të refuzohet në atë mënyrë”.

“Një gjë e tillë vetëm dëmton imazhin e Kosovës; një gjë e tillë vetëm dekurajon miqtë e Kosovës dhe, me siguri, do të reflektohet në proceset e ardhshme, sepse, dashur e padashur, ne do të jemi ata që do të jemi të varur, që të negociojmë dhe të hyjmë në partneritet me Bankën Botërore në një të ardhme të afërt”,
shprehet Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, dukuritë e tilla i përcjell mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të institucioneve kosovare.

“Siç duket, në institucione të caktuara vendore shumë më tepër sillen vendime ad-hoc, e ndoshta edhe anëtarët e Parlamentit nuk janë të informuar... si pasojë, janë sjelljet e tilla, ku refuzohen edhe forma të tilla të ofrimit të ndihmës”, thotë Gërxhaliu.

Marrëveshja e arritur në muajin mars për këtë kredi ka për qëllim financimin e projekteve për modernizim të sektorit publik dhe regjistrim të pronave. Atëherë, ekspertët e ekonomisë, ndonëse e kishin vlerësuar pozitive marrjen e kredisë, kishin shprehur kritika për destinimin e saj.

Lekë Musa, lidhur me këtë, thotë:

“Qëllimet, për të cilat është marrë kjo kredi, nuk kanë qenë më të mirat, për arsye se financimi i administratës publike ka mundur të bëhet me burime të tjera. Por, sidoqoftë, unë pajtohem se kushtet e kësaj kredie kanë qenë shumë të mira”.

Arsyet e deputetëve që refuzuan kredinë, ishin të ndryshme. Disa thanë se nuk e kanë pasur raportin dhe se nuk dinin për çfarë bëhet fjalë, ndërsa të tjerët e vlerësuan si të panevojshme atë.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, tre muaj më parë, përfaqësues të Bankës Botërore patën paralajmëruar se ky mekanizëm, së bashku me partnerët tjerë zhvillimorë, në kuadër të strategjisë së përkohshme për Kosovën do të ofrojë deri në 200 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG