Ndërlidhjet

Kush lufton korrupsionin?


Lideri i opozitës, Ramush Haradinaj, ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë, duke thënë se me deklaratat për luftimin e korrupsionit, ajo po tallet me qytetarët. Zyrtarë të Qeverisë thonë se ata do të jenë bartës të luftës kundër këtij fenomeni.



Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se ai e nisi luftën kundër korrupsionit dhe se Qeveria që ai drejton është bartëse e luftës kundër këtij fenomeni, ka nxitur reagim të ashpër të liderit të opozitës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë për gazetarë, tha se kryeministri po tallet me qytetarët e vendit.

Përmes një deklarate politike, Haradinaj tha se “Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij e konsiderojnë Republikën e Kosovës si një kompani private, me të cilën mund të bëjnë çka të duan”.

E vetmja gjë e organizuar në këtë Qeveri, sipas Haradinajt , është krimi dhe korrupsioni.

“Ai që e ka shkaktuar korrupsionin, ai që e ka çarmatosur sistemin e brendshëm, ai që ia ka shkaktuar këto humbje vendit, edhe një herë ka fytyrë të dalë e t'i thotë vendit se do ta udhëheqin luftën kundër këtyre të këqijave, që i ka shkaktuar vetë dhe Qeveria e tij”,
tha Haradinaj.

Por, zyrtarë të Qeverisë edhe sot thanë se ata do të jenë bartës të luftës kundër korrupsionit, megjithëse njëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar, Fatmir Limaj, tashmë është duke u hetuar nga EULEX-i për korrupsion.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përsëriti atë që një ditë më parë e tha kryeministri, që hetimet për korrupsion do të udhëheqen nga vendorët dhe jo nga ndërkombëtarët.

“Kryeministri, Qeveria e Kosovës, institucionet e rendit dhe të drejtësisë duhet të jenë bartëse të procesit. EULEX-i dhe mekanizmat ndërkombëtarë duhet të jenë ndihmues, mbikëqyrës e këshillues në këtë proces dhe gjithsesi bashkëpunues. Mendoj se këtu nuk ka asgjë të keqe”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi kryeministrin Thaçi si dhe partinë që ai drejton, PDK-në, për krijimin e, siç thuhet, fondit zyrtar për mbrojtjen e Limajt.

“Është e pakuptueshme një situatë e krijuar. Partia në pushtet organizon fond për të mbrojtur pushtetarë, që akuzohen për vjedhje të vendit. Ky pozicion është jashtëzakonisht i pandershëm dhe i dëmshëm për vendin. Ky mesazh është mesazh i rëndë, që është çuar në vend dhe jashtë vendit”, u shpreh Haradinaj.

EULEX-i, javë më parë, ka bastisur Ministrinë e Transportit dhe pronat e familjarëve të ministrit Fatmir Limaj, nën dyshimin për korrupsion dhe krim të organizuar.

Limaj, i cili vazhdon ta kryejë punën e ministrit, tashmë thuhet se ka zënë avokatë ndërkombëtarë për mbrojtjen e tij, ndërsa, ditë më parë, është thënë se është krijuar edhe fondi për të mbledhur mjete financiare për mbrojtjen e tij.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk dha qëndrimin e Qeverisë në lidhje me këtë çështje, duke thënë se fondi ka të bëjë me partinë dhe jo me Qeverinë.

“Ju po insistoni në një përgjigje, që unë në Qeveri nuk e jap. Në parti, kurdo që të vini, unë ju jap përgjigjen”, tha Kuçi.

Kryeministri Hashim Thaçi është takuar, një ditë më parë, me kyeprokurorin Ismet Kabashi, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe drejtorin e Policisë, Behar Selimi, pas të cilit takim ka thënë se luftën kundër korrupsionit duhet ta kryejnë institucionet e vendit.

Haradinaj tha se ky qëndrim i kryeministrit Thaçi vetëm se ka dëmtuar vendin.

“Në rast se ne lejojmë që të tallet me ne e me qytetarët e vendit dikush në këtë mënyrë, mund të them se i bëjmë dëm të madh vetvetes dhe vlerësimit që dikush mund ta ketë për ne. Shkalla e absurditetit ka mbërritur aq lart, saqë nuk guxojmë ta tolerojmë vazhdimin në këtë mënyrë”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se lufta kundër korrupsionit do të shtrihet në të gjitha segmentet e shoqërisë.
XS
SM
MD
LG