Ndërlidhjet

Në Sarajevë, Kosova si shtet


Prishtinë
Prishtinë

Në prag të Konferencës së Sarajevës, zyrtarët qeveritarë thonë se për Kosovën është me rëndësi që është ftuar si një vend i barabartë me shtetet tjera, çka, sipas tyre, dëshmon se BE-ja e njeh realitetin e ri në Kosovën e pavarur. Opozita vlerëson se kjo konferencë paraqet kthim prapa në agjendën evropiane, krahasuar me konferencën e para 10 vjetëve në Zagreb.



Qeveria dhe opozita në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me pritjet nga Konferenca e Sarajevës, e cila fillon nesër. Kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova do të prezantohet e barabartë në këtë konferencë dhe do t'i paraqesë pikëpamjet e saj në lidhje me përparimet e arritura.

Ndërkaq, Blerim Shala, nga radhët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se ky samit është kthim prapa në agjendën evropiane.

Sidoqoftë, kryeministri Hashim Thaçi vlerëson se me paraqitjen e përfaqësuesit të Kosovës në Sarajevë, si vend i barabartë me shtetet tjera, Bashkimi Evropian ka dëshmuar se e njeh përparimin dhe realitetin e ri në Kosovën e pavarur.

“Në takimin e Sarajevës do të prezantohen të gjitha të arriturat në shtetin e Kosovës, si ato politike, ekonomike, reformat demokratike dhe të legjislacionit, si dhe afirmimi i të drejtave të minoritarëve dhe vizioni ynë për të ardhmen”, thotë Thaçi.

Kryeministri kosovar konfirmon se ministri Skënder Hyseni do të prezantojë në Sarajevë edhe gatishmërinë e Prishtinës, që për procesin e integrimeve të bisedojë dhe bashkëpunojë me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë.

“Do të konfirmojmë zotimin për ndërtimin e raporteve të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët dhe zotimin për relacion ndërshtetëror, për një relacion të ri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën perëndimore, euro-atlantike të të gjithë Ballkanit Perëndimor”, thotë Thaçi.

Ndërkohë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, vlerëson se formati dhe niveli i organizimit të Konferencës së Sarajevës paraqet një kthim prapa në agjendën evropiane.

Siç është thënë tashmë, për shkak të kompromiseve me Serbinë, në Sarajevë, vendet e rajonit do të prezantohen me emrat e ministrave dhe jo me emrat e shteteve, pasi që Beogradi ishte kërcënuar se do ta bojkotonte konferencën, nëse aty figuron emri i Kosovës dhe i simboleve të saj shtetërore.

“Samiti i Sarajevës nuk është as përafërsisht synimi që do të duhej përmbushur, pra që t'i jepet një dinamikë e re zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në përgjithësi, mendoj se është një kthim prapa në agjendën e BE-së, e cila është lansuar 10 vjet më parë në samitin e Zagrebit”
, thotë Shala.

Ndërkaq, analisti Ramush Tahiri shprehet mjaft optimist në lidhje me këtë konferencë, nga e cila pret që BE-ja ta bëjë edhe më të qartë perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën që këto vende duhet të ndjekin deri te integrimi.

“Simbolika e Sarajevës është që këtu të bëhet kthesë për vendet e Ballkanit, që t'i rikonfirmojnë angazhimet e përbashkëta për siguri dhe për integrimin në institucionet evropiane dhe euro-atlantike”, shprehet Tahiri.

Krahas konfirmimit rreth perspektivës evropiane për vendet e rajonit, Brukseli pret nga këto vende, sidomos nga Kosova dhe Serbia, që të fillojnë normalizimin e marrëdhënieve, si kusht për plotësimin e kritereve për integrim.

Analisti Tahiri thotë se të dyja vendet e kanë një rast të mirë që t'i identifikojnë problemet dhe t'i fillojnë diskutimet teknike.

“Ky është një rast i mirë që, duke i parashtruar problemet e caktuara, të fillojë zgjidhja e tyre, aq më parë kur dihet se edhe Serbia, edhe Kosova e kanë prosperitetin dhe ardhmërinë vetëm si vende të barabarta në Bashkimin Evropian”
, thekson Tahiri.

Në konferencën e Sarajevës është paralajmëruar se do të marrin pjesë 48 delegacione nga vendet e rajonit, përfaqësues të BE-së, të Shteteve të Bashkuara, të Rusisë dhe të Turqisë. Pjesëmarrja është konfirmuar edhe nga përfaqësuesja e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Kethrin Eshton, si dhe nga komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle.
XS
SM
MD
LG