Ndërlidhjet

Pritjet nga Samiti në Sarajevë


Sarajevë, 2 qershor 2010

Sarajevë, 2 qershor 2010

Prania e Republikës së Kosovës në Konferencën e Sarajevës, e cila mbahet sot, është një rast i mirë për promovimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, konsiderojnë analistë të çështjeve politike në Prishtinë.



Prezenca e Kosovës në Konferencën e Sarajevës është një sukses për vendin, duke pasur parasysh se ai ka nevojë të jetë i pranishëm në forume të rëndësishme dhe ta promovojë veten, vlerësojnë analistë të çështjeve politike në Prishtinë.

Аta, megjithatë, nuk presin ndonjë sukses ose rezultat, siç e quajnë, të madh të kësaj konference.

Analisti Driton Lajçi thotë se prezenca e përfaqësuesve të Kosovës në Konferencën e Sarajevës është rezultat i kompromiseve që janë kërkuar nga organizatorët e takimit dhe krerët e Bashkimit Evropian.

“Sidomos, Serbia dhe Kosova është dashur të heqin diçka nga atributet shtetërore, në mënyrë që të mundësohet mbajtja e këtij samiti. Përkundër vështirësive të mëdha që ka Kosova për të marrë pjesë dhe për ta shpërthyer, kushtimisht thënë, këtë lloj rrethimi të Serbisë dhe pengimin që po i bën për të marrë pjesë në konferenca rajonale, prezenca e Kosovës është një sukses”.

“Kosova dhe përfaqësuesit e saj kanë nevojë, është e domosdoshme që të marrin pjesë, që ta përfaqësojnë Kosovën në këto forume, të cilat, megjithatë, janë të rëndësishme, sidomos për Kosovën”
, thotë Lajçi.

Ndërkaq, analisti Afrim Hoti, praninë e Kosovës në Konferencën e Sarajevës e vlerëson si një rast të mirë për promovimin e saj.

“Mendoj se është një shans i mirë, një rast ideal që Kosova të promovohet në komunitetin ndërkombëtar, në veçanti në kuadër të Bashkimit Evropian, sepse, siç duket, Samiti i Sarajevës, nëse për asgjë tjetër, do të jetë i suksesshëm ose do të njihet për faktin se po arrin t’i ulë vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe të gjitha vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor”, thotë Hoti.

Të dy këta analistë pajtohen se, megjithatë, pritjet nga Konferenca e Sarajevës nuk janë të mëdha. Lajçi konsideron se në këtë konferencë nuk pritet të ndodhë diçka e jashtëzakonshme.

“Po të mos ishte rasti Kosovë-Serbi, nuk do të trumbetohej kaq shumë mbajtja e Samitit të Sarajevës. Është me rëndësi, sidomos për Kosovën, që krijohen situata që të vihen kontakte të tjera, me shtete të tjera, që të krijojë raporte bilaterale me vendet që marrin pjesë”.

“Për Kosovën, në këtë rast, është një mundësi që duhet të shfrytëzohet dhe nuk përsëritet shpesh. Mirëpo, është pozitive, sepse, megjithatë, mund të relaksohen raportet në mes të vendeve, sepse vendet e Ballkanit kanë probleme të trashëguara historike, problemet aktuale... Takimet e kësaj natyre relaksojnë raportet dhe hapin mundësi për të krijuar raporte të tjera”, shprehet Lajçi.

Ngjashëm vlerëson edhe analisti Hoti, i cili thotë se nuk mund të prejudikohet ndonjë sukses i argumentuar ose i madh nga Konferenca e Sarajevës, e cila, sipas tij, është një takim formal.

“Mbi bazën e kësaj formule ose të këtij formati të takimit, mendoj se nuk do të shënohet ndonjë progres ose ndonjë e arritur e madhe në politikën e përgjithshme të BE-së”.

“Ndërkohë, mendoj se Kosova do të ketë një shans të mirë, që me përfaqësimin fizik të institucioneve të saj në samit, të provojë të dëshmohet para BE-së, në veçanti para atyre vendeve që nuk e kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës, si një shtet të pavarur e sovran dhe njëkohësisht si një partner shumë të rëndësishëm, në kuadër të zhvillimeve rajonale dhe në këtë kontekst, kundrejt Serbisë”, deklaron Hoti.

Lexoni edhe këtë: Në Sarajevë, Kosova si shtet
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG