Ndërlidhjet

logo-print

BE mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

  • RFE /RL

Sarajevë, 2 qershor 2010.

Sarajevë, 2 qershor 2010.

Në Sarajevë përfundoi takimi ministror Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur me nismën e Spanjës, vend që kryeson BE-në.

Në deklaratën presidenciale të miratuar pas mbylljes së takimit thuhet se “Bashkimi Evropian sërish dhe pa asnjë dilemë është i përkushtuar për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që mbetet kusht kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni”.

Është përshëndetur synimi i BE-së për të zgjeruar procesin e liberalizimit të regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, kur për një gjë të tillë të jenë përmbushur kushtet.

Rrjedhimisht, është përshëndetur vendimi i Komisionit Evropian për regjimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës.

Bashkimi Evropian ka verifikuar nevojën e kushteve të drejta dhe rigoroze në kuadër të procesit të stabilizimit dhe asociimit dhe në harmoni me konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin, që ishte miratuar në dhjetor të vitit 2006.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për përmbushjen e kritereve dhe kushteve në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përparimi i çdo vendi do të varet nga meritat e secilit prej tyre”, thuhet në deklaratën e miratuar të samitit.

Pas mbylljes së takimit është prononcuar ministri i Jashtëm i Spanjës, Migel Angel Moratinos, i cili ka apostrofuar prioritetet e BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor:

“Zotimi i parë i BE-së ka të bëjë me angazhimin dhe punën për të avancuar procesin negociator të perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Moratinos.

Është pronocuar edhe komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle, që, pos tjerash, ka thënë:

“Kjo konferencë sot ka dëshmuar se nuk ka vend për rraskapitje ose apati në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian në procesin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, ka thënë Fyle.

Në këtë takim kanë marrë pjesë 48 delegacione – ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të BE-së, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe organizatave ndërkombëtare.

Para fillimit të takimit, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bilt, u ka konfirmuar gazetarëve se qëllimi i këtij samiti është riafirmimi i vëmendjes së Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ajo që shpresoj se do të ndodhë është fakti që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor do të hyjnë në të ashtuquajturin “procesi i qasjes”. Do të duhen vite që të gjitha vendet të kalojnë këtë proces, derisa nuk arrijmë në një fazë kur vendet e rajonit do të bëjnë garë njëra me tjetrën për hyrje në BE. Fokusi do të jetë Komisioni Evropian”,
ka thënë Bilt.

Në samitin e Sarajevës ka marrë pjesë edhe zëvendëssekretari shtetëror amerikan, Xhejms Steinberg. Në kumtesën e Stejt Departamentit thuhet se me këtë samit sërish konfirmohet mbështetja e SHBA-ve dhe BE-së për integrime euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Samiti në Sarajevë është mbajtur nën masat e mëdha të sigurisë në ndërtesën e Kuvendit të Bosnjës dhe pa praninë e gazetarëve. (m.k.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG