Ndërlidhjet

Gjykatat në veri - brenda javësh me vendorë?


Gjykata në Mitrovicë

Gjykata në Mitrovicë

Përfaqësues të misionit EULEX shfaqin shpresë se brenda javëve të ardhshme të gjendet një zgjidhje për kthimin e gjykatësve e prokurorëve vendas në institucionet gjyqësore në veri të Kosovës. Përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës thonë se janë në pritje të vendimit, që, sipas tyre, do të merret në nivelin politik.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës pajtohen rreth nevojës, siç thuhet, urgjente për t’i kthyer punonjësit vendorë në gjykatat në veri të Kosovës, nga objektet e të cilave ishin dëbuar gjykatësit e prokurorët kosovarë, për shkak të protestave serbe, si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Një paqartësi, megjithatë, duket se ekziston në mes të këtyre mekanizmave kur bëhet fjalë për hapat e mëtutjeshëm që duhet bërë për t’i rifunksionalizuar në tërësi këto gjykata.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë se çështja e kthimit të gjykatësve e prokurorëve vendas në Gjykatën e Qarkut në veri ka kaluar tashmë në nivel të dialogut Prishtinë-EULEX-Beograd, duke e lënë në pritje Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Po, unë po pres pasi që tashmë çështja ka kaluar në nivel pak më sensitiv, pak më të lartë - ka kaluar në çështje politike. Mirëpo, besoj se ata janë të vetëdijshëm se për ne, si Këshill Gjyqësor, është i papranueshëm propozimi që të inkuadrohen gjyqtarët e përmendur më herët”,
thekson Enver Peci.

Në fillim të muajit maj, para presidentit të Kosovës e dhanë betimin nëntë gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, prej të cilëve një i nacionalitetit serb dhe katër prokurorë të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë.

Vendi i punës së tyre mbetet objekti në qytetin e Vushtrrisë, në të cilin aktualisht vepron stafi i gjykatave të veriut.

Përfaqësues të misionit EULEX janë optimistë se në javët e ardhshme të mund të gjendet një zgjidhje për rikthimin e gjykatësve shqiptarë e serbë në veri të vendit.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, thotë se diskutimet me palët e përfshira në këtë çështje janë duke vazhduar.

“EULEX-i po punon intensivisht për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të ecet përpara në javët e ardhshme. Shpresojmë që zgjidhja në këtë problem të mund të gjendet brenda kësaj periudhe”,
bën të ditur Kristina Herodes.

Pas bllokimit të gjykatave në veri të Kosovës, puna në Gjykatën e Qarkut atje kishte nisur me seancën e parë të udhëhequr nga gjykatësit e EULEX-it në muajin mars të vitit të kaluar.

Që atëherë, misionarët evropianë të angazhuar në këto institucione, thuhet se kanë mbajtur më se 10 seanca gjyqësore. Herodes shpjegon:

“Në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë janë mbajtur më shumë se 10 seanca gjyqësore dhe natyrisht se ka pasur më shumë seanca për konfirmimin e aktakuzave dhe janë zhvilluar gjithashtu aktivitete të tjera gjyqësore atje”.


Në listat e propozuara të emrave, të cilët do të mund të ktheheshin në gjykatat në veri, deri më tani kanë figuruar edhe gjykatës e prokurorë të emëruar kohë më parë nga shteti serb.

Beogradi zyrtar ka këmbëngulur në mundësinë e angazhimit të tyre në institucionet gjyqësore në veri, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kundërshtuar ashpër jetësimin e ideve të tilla.

Lexoni edhe këto:
Gjykatat në veri pa gjykatës vendorë
Kaosi juridik në veri
XS
SM
MD
LG