Ndërlidhjet

Mëdyshje për deklarimin e pasurisë


Një ditë pas publikimit të pasurisë së zyrtarëve kosovarë, nga Agjencia Kundër Korrupsion kërkohet të vërtetohet nëse pasuria e deklaruar përkon me atë reale. Por, për Organizatën “Çohu”, pasuria e deklaruar nuk është e vërtetë.


Një ditë pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit e bëri publike pasurinë e deklaruar të mbi një mijë zyrtarëve kosovarë, drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, shpjegon se deklarimi i pasurisë do t’i nënshtrohet një inspektimi, për të parë nëse ajo që është deklaruar, përkon me pasurinë reale të zyrtarëve kosovarë.

“Do të reagojmë në çdo moment kur ka disproporcion mes të deklaruarës edhe asaj nëpër periudha të ndryshme dhe fitimeve të krijuara duke siguruar edhe të hyra”.

“Do të thotë, a ka disproporcion në mes të pasurisë së paluajtshme dhe të hyrave të mundshme. Janë edhe disa mangësi në plotësimin e formularëve, për të gjitha ato ligjvënësi i ka paraparë metodat dhe ne do t’i aplikojmë ato”,
thotë Preteni.

Teksa Preteni shpreh disa rezerva në mënyrën se si janë mbushur formularët nga ana e zyrtarëve kosovarë, kryeministri Hashim Thaçi thotë se mënyra se si është deklaruar pasuria, paraqet shembull për rajonin.

“Republika e Kosovës, zyrtarët e Kosovës, janë rekord në rajon për deklarimin e pasurisë së tyre që është deklarimi me përqindje më i miri prej të gjitha vendeve të rajonit”.

“Pra, ne do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me agjencinë anti-korrupsion dhe si Qeveri, do të vazhdojmë në angazhimet tona të gjithanshme për preventimin dhe luftimin e korrupsionit”,
deklaron Thaçi.

Por, përfaqësuesit e Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, konsiderojnë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë nuk është real.

Avni Zogiani, drejtor i kësaj organizate, shprehet:

“Unë, besoj se nuk janë reale. Unë besoj se mbase në llogaritë e tyre nuk kanë më shumë se kaq. Por, jam i bindur se, edhe nga informacionet që kemi, tregojnë se patundshmëritë edhe pasuritë përgjithësisht, janë shumëfish më të mëdha sesa kaq”.


Zogiani thekson se në bazë të informacioneve të tyre, shumë zyrtarë, të cilët punojnë në institucionet e vendit, kanë edhe pasuri tjetër që nuk e kanë deklaruar.

“Ne, natyrisht se kemi deklaruar dhe raportuar në organet gjegjëse për shumë nga këto dyshime. Ka informacione që në të vërtetë, ka të tillë që kanë vila jashtë Kosovës, e që nuk i deklarojnë, sepse nuk ka mundësi dhe mekanizma për t’i verifikuar ato”
, thekson Zogiani.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, kërkon nga të gjithë, përfshirë edhe qytetarët, që ta informojnë agjencinë, nëse pasuria e ndonjërit zyrtar nuk përkon me realitetin.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që të reagojnë në çdo moment kur kanë informacion se zyrtarët nuk e kanë deklaruar pasurinë, të cilën më të vërtetë e kanë”
, deklaron Preteni.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë që deklarimi i rrejshëm i pasurisë së zyrtarëve publikë, të konsiderohet me ligj si vepër penale.
XS
SM
MD
LG