Ndërlidhjet

logo-print

Funksionimi i mekanizmave antikorrupsion


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të shoqërisë civile thonë se Kosova ka mekanizma për ta luftuar dukurinë e korrupsionit, por ata nuk funksionojnë në mënyrë adekuate.


Pakoja ligjore antikorrupsion, prokuroritë, gjykatat dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, janë disa nga mekanizmat, të cilët i ka Kosova, por që nuk funksionojnë në mënyrë adekuate për ta luftuar korrupsionin, thonë përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të shoqërisë civile.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se pos mekanizmave ekzistues, vendit i duhen edhe disa të tjerë që do të ndihmonin në luftën e kësaj dukurie negative.

“Ka mungesë edhe të mekanizmave të tjerë institucionalë, siç do të ishte Komiteti shtetëror kundër korrupsionit, gjë që është miratuar edhe nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005, rezoluta për ta luftuar korrupsionin”.

“Po ashtu, do të duhej të kishte edhe mekanizma të tjerë që kanë të bëjnë me Kuvendin e Kosovës, siç është Grupi Parlamentar i veçantë që do të duhej të krijohej për të mbikëqyrur implementimin e ligjeve kundër korrupsionit”
, thotë Ramadani.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasnqi, konsideron se Kosova tashmë ka të gjitha mekanizmat, të cilët ndihmojnë fuqishëm në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova tashmë ka institucionet e sundimit të ligjit, të cilat merren me luftimin e korrupsionit. Veç kësaj, ka edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit”.

“Ndërsa, së fundi është krijuar edhe Task-forca kundër korrupsionit, e cila përbëhet nga prokurorët kosovarë dhe ata të EULEX-it”,
sqaron Krasnqi.

Në kuadër të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit shkurt, kishte formuar një Task-forcë speciale, në përbërje të së cilës janë pesë prokurorë kosovarë dhe tre të EULEX-it.

Ramadani nga AAK-ja, thotë se krijimi i Task-forcës bëhet vetëm për disa raste të vecanta. Sipas tij, Kosovës nuk i duhet një Task-forcë për luftimin e korrupsionit, por, siç shprehet ai, i duhet reformimi i sistemit të drejtësisë.

“Rasti i Task-forcave ndodh vetëm në raste të veçanta, kur ka diçka, kur ka një aferë të madhe korruptive dhe ka një mandat njëmujor, e jo më shumë, për të zgjidhur atë rast”.

“Por, Kosova ka nevojë për shkak se është e përfshirë në shumë afera korruptive dhe në këto afera bëjnë pjesë edhe kryeministri Thaçi dhe ministra të Qeverisë. Atëherë, është e nevojshme që sistemi i drejtësisë të reformohet dhe të ndahet buxhet më i madh”,
thekson Ramadani.

Ramadani shton se ligjet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit, konfliktin e interesit, verifikimin e pasurisë së zyrtarëve, transparencën në financimin e partive politike, në formën siç janë miratuar, kanë mangësi të shumta.

Ndërsa, Ariana Qosaj-Mustafa, drejtore për kërkime speciale në Institutin KIPRED, vlerëson se krijimi i institucioneve e mekanizmave, njëri pas tjetrit, pa ndonjë kompetencë të qartë, pa një ndarje të qartë të punës, është vetëm duke krijuar konfuzion në luftën kundër korrupsionit.

“Ka një përzierje të kompetencave në kuptimin e asaj se cili është roli i pushteteve të ndara, që duhet të respektohet në këtë pikëpamje, posaçërisht ndaj gjyqësorit, i cili duhet të jetë më aktivi në këtë drejtim”.

“Dhe, në këtë drejtim, gjyqësori duhet të jetë ai, i cili duhet të prijë në luftimin e korrupsionit. Ndërsa, në njërën anë kemi deklarata për krijimin e Task-forcës, që udhëhiqet nga kreu i Qeverisë, i cili me deklaratat që jep, më shumë duket të jenë deklarative, e jo substanciale”,
vlerëson Mustafa.

Sipas zonjës Mustafa, në Kosovë mungojnë masat kundër korrupsionit:

“Një vëmendje e madhe u jepet deklarimeve politike dhe mekanizmave administrativë, siç është për shembull Agjencia Kundër Korrupsionit që mund të ketë një rol të tillë më shumë parandalues, sesa ndëshkues, atëherë me të vërtetë mund të jemi shumë dyshues se sa do të jenë efektive të gjitha këto iniciativa që po deklarohen në media”.


Ndryshe, deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë në lidhje me nevojën për intensifikimin e punës së institucioneve përgjegjëse kosovare në luftën kundër korrupsionit, së fundi janë shtuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG