Ndërlidhjet

BE të veprojë, jo të premtojë


Një ditë pas Konferencës së Sarajevës, analistët thonë se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, e jo të japë vetëm premtime. Kosova në konferencë, sipas tyre, nuk ka arritur diç konkrete.


Konferenca e Sarajevës, në të cilën Bashkimi Evropian përsëriti se mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit, sipas analistëve, nuk ofroi diçka konkrete për Kosovën.

Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se e arritura më e madhe e konferencës së Sarajevës është pjesëmarrja në të edhe e Kosovës, edhe e Serbisë.

Por, sipas Muharremit, përveç premtimeve, Kosova nuk ka përfituar ndonjë gjë tjetër.

“Unë mendoj se Kosova nuk ka përfituar asgjë si vend. Përkundrazi, nëse e shihni në deklaratën përfundimtare Kosova nuk referohet fare dhe terminologjia, e cila përdoret - për shembull ka fjali ku thuhet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit - p
ra, duke e injoruar Kosovën krejtësisht, duke mos e konsideruar si vend fare".

"Sido që të jetë, për të mos pasur vetëm qasje negative, unë mendoj se u bë shumë mirë që Serbia dhe Kosova u ulën në një tavolinë”,
vlerëson Muharremi.

Pjesëmarrja e Kosovës dhe Serbisë në takimet rajonale është shndërruar në një problem të vazhdueshëm, pasi që shteti serb nuk lejonte të ulej si i barabartë me shtetin kosovar.

Arritja e marrëveshjes për t’i bërë bashkë këto dy vende në Sarajevë, është parë si një e arritur e konferencës së organizuar nga presidenca spanjolle e BE-së.

Por, analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, thotë për Radion Evropa e Lirë se shpenzimi i shumë energjive në bërjen bashkë të Serbisë dhe Kosovës në një tryezë, huqi mundësitë reale që paraqiste konferenca e Sarajevës për të gjitha vendet e rajonit.

Ajo fajëson Bashkimin Evropian për mungesë të një agjende të qartë karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo premtimin e dhënë për perspektivën evropiane e quan jo të denjë.

“Për mua është një turp, sepse Evropa ka më shumë çka të ofrojë. Evropa ka mundësi që t’i shtyjë vendet përpara drejt reformave të vështira. Këtë gjë e pamë me liberalizimin e vizave”.

“Kur sqaroni se cilat janë kriteret, vendet si Maqedonia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi e Serbia, edhe mund t’i zbatojnë këto reforma të vështira. Mendoj se tani është koha që Evropa të ofrojë diçka të ngjashme. Si dhe më e rëndësishmja, t’ia japë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizim vizash. Ky do të ishte mesazhi që duhet dhënë vendeve të Ballkanit”,
shprehet Knaus.

Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës tashmë iu dha drita jeshile se brenda këtij viti do t’u hiqet regjimi i vizave për vendet e zonës Shengen.

Kjo, e bën Kosovën të vetmin vend të izoluar në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian.

Por, Shenoll Muharremi thotë se jo gjithmonë duhet kërkuar përgjigje nga Brukseli. Ai thotë se kosovarët kanë edhe shumë punë para vetes, para se t’i plotësojnë kushtet për lëvizje të lirë.

“Bashkimi Evropian nuk po merr sinjale të qarta se Kosova e ka përnjëmend integrimin e saj në familjen evropiane. Evropa nuk është dëshirë. Ne duhet t’i arrijmë disa kritere shumë mirë të elaboruara, për të arritur në një fazë specifike, në këtë rast liberalizimin e vizave”.

“Andaj, fakti që Shqipëria dhe Bosnja, fatmirësisht po bëhen pjesë e listës së bardhë të Shengenit është një lajm shumë pozitiv për Kosovën dhe kjo u tregon qytetarëve se si një vend, nëse është serioz dhe arrin progres, mund edhe të përfitojë për shembull nga liria e lëvizjes së lirë”,
sqaron Muharremi.

Por, kështu nuk mendon Verena Knaus. Ajo thotë se qytetarët e Kosovës meritojnë shansin e njëjtë që u është dhënë qytetarëve tjerë në rajon.

“Është mrekulli që qytetarët e Bosnjës dhe Shqipërisë do të udhëtojnë lirshëm. Por, është shumë turp që Kosova nuk është përfshirë, është koha për hapa konkretë dhe jo vetëm premtime”.

“Duhet parë në javët e ardhshme nëse Kosovës po i jepet udhërrëfyesi, nëse Kosovës po i jepet shansi i njëjtë që t’i përmbushë kriteret dhe nëse perspektiva evropiane, përfshirë liberalizimin e vizave, nuk po mbahet peng i çështjes së statusit”.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë shansin e njëjtë, që të udhëtojnë lirshëm në bazë të përmbushjes së kritereve dhe të reformave që i kërkon ky proces dhe nuk duhet të mbahen peng i asaj nëse e kanë njohur ose jo të gjitha shtetet e BE-së Kosovën”,
thekson Knaus.

Kosova ka adaptuar një udhërrëfyes për liberalizim vizash, por ende nuk e ka marrë zyrtarin nga ana e Bashkimit Evropian. Ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ky udhërrëfyes do t'i jepet Kosovës gjatë kësaj vere.
XS
SM
MD
LG