Ndërlidhjet

Ban kërkon heqjen e bllokadës, Netanjahu refuzon

  • RFE /RL

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun (majtas) dhe kryeministri izraelit, Benjaxhamin Netanjahu (djathtas)

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun (majtas) dhe kryeministri izraelit, Benjaxhamin Netanjahu (djathtas)

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka mbajtur konsultime urgjente me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe me diplomatët izraelitë dhe turq, në një përpjekje për të siguruar hetim të plotë të rastit të sulmit ndaj konvojit që shkonte drejt Gazës.


Ban Ki Mun u ka thënë gazetarëve se ai dëshiron që menjëherë t’i jepet fund bllokadës së Gazës, ndërsa nga Izraeli ka kërkuar që të ofrojë të gjitha të dhënat për incidentin, duke përfshirë edhe listën e të vrarëve dhe të plagosurve.

“Kjo tragjedi vetëm sa përkujton një problem serioz. Bllokada ndaj Rripit të Gazës është kundër-produktive, e paqëndrueshme dhe e gabuar. Ajo ndëshkon civilët e pafajshëm. Autoritetet izraelite duhet ta heqin menjëherë”,
ka thënë Ban Ki Mun.

Izraeli ka refuzuar bashkëpunimin me hetuesinë e mëhershme të caktuar nga Këshilli i Sigurimit dhe duket se nuk do të pajtohet as kësaj radhe.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mark Regev, ka thënë se Izraeli është i aftë të bëjë një hetim të pavarur.

Por, nga ana tjetër, Ban Ki Mun ka ndërlidhur rastin e konvojit me domosdonë e ripërtëritjes së paqes në Lindjen e Mesme.

“Në këtë çast, më e rëndësishmja është se si t’i ndihmojmë palestinezët që jetojnë në Gaza, si mund ta ndryshojmë thellësisht situatën në Gaza. Ne duhet të nisim bisedimet që të kemi një proces paqësor në Lindjen e Mesme, sa më parë që të jetë e mundur”
, ka thënë Ban Ki Mun.

Ndërkohë, qindra aktivistë janë kthyer sot në Turqi, pasi që më parë ishin arrestuar dhe pastaj liruar nga Izraeli. Ata janë pritur ngrohtësisht nga një delegacion i Qeverisë turke që kryesohej nga zëvendëskryeministri Bulent Arinc.

Zëvendëskryeministri Arinc ka thënë se ai kishte mbështetur flotën, pas së cilës qëndronte një organizatë kontraverse humanitare turke, të cilën Izraeli e akuzon se ka lidhje me rrjetin terrorist Al Kaida.

Në të njëjtën kohë, në Jerusalem, kryeministri Benxhamin Netanjahu ka ripërsëritur qëndrimin për mbajtjen e bllokadës ndaj Gazës, për të evituar, siç ka thënë ai, kontrabandimin e raketave dhe armëve tjera në Gaza nga ana e Iranit dhe të tjerëve.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojë një port iranian në Mesdhe. Ripohoj gatishmërinë për t’i pamundësuar Iranit që të sigurojë port afër Izraelit dhe Evropës. Ato vende që sot po na kritikojnë, duhet ta dinë se nesër mund të jenë cak i sulmeve”,
ka thënë Benxhamin Netanjahu.

Kryeministri izraelit ka thënë se Tel-Avivi nuk ka pasur zgjidhje tjetër, pos të ndalë flotën, ndërsa disa nga aktivistët në anije i ka karakterizuar si “mbështetës të dhunshëm të terrorizmit”.

“Bllokada detare e Gazës do të mbetet në fuqi”
, ka konkluduar kryeministri izraelit, Benxhamin Netanjahu. (m.k.)
XS
SM
MD
LG