Ndërlidhjet

logo-print

Dhuna dhe huliganizmi në mjediset edukativo-arsimore në Kosovë, tashmë janë bërë problem shqetësues duke marrë edhe jetë fëmijësh, vlerësojnë organet e rendit. Sipas tyre, ky problem kërkon qasje urgjente.

Rasti i fundit i dhunës mes nxënësve, i cili ka ndodhur të martën në Gjilan, ka përfunduar fatalisht për një nxënës, pas zënkës me armë të ftohta, thotë Brahim Sadriaj, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

“Mbrëmë, një fëmijë i moshës 14-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin e Prishtinës, si pasojë e therjes me thikë nga një i ri 15-vjeçar”,
bën të ditur zëdhënësi Sadriaj.

Ai shton se Policia e Kosovës tashmë është duke u përpjekur që procesi edukativo-arsimor të zhvillohet sa më sigurt, duke mbajtur ligjërata në shkolla, si dhe përmes metodave tjera, në mënyrë që të vërehen elementet që e rrezikojnë sigurinë në shkollë.

Por, edhe vetë nxënësit tregojnë që armëmbajtja në shkolla ende është evidente. Mimoza Ymeri, 15-vjeçare, nxënëse e klasës së nëntë, nga Prishtina thotë se edhe në shkollën ku mëson ajo, kjo dukuri është e pranishme.

“Në shkollën tonë mbajnë armë të ftohta, e ndoshta jo vetëm 15-vjeçarët, por edhe më të rinj. Zakonisht mbajnë thika”.

“Mbajtja e armës së ftohtë është shenjë që ka për të ndodhur diçka në shkollë. Zakonisht, këta nxënës rrihen mes vete, duan të dalin fitimtarë, prandaj ndodhin therjet. Nëse thikën e ka vetëm njëri, pëson ai që s’ka, por nëse e kanë të dytë, të dy pësojnë”,
thotë nxënësja Mimoza Ymeri.

Sipas saj, arsimtarët dhe drejtoria e shkollës, nuk kanë shumë fuqi t’i ndalojnë këto dukuri, për shkak se prindërit e fëmijëve problematikë i përkrahin fëmijët e tyre dhe shpeshherë konfrontohen me stafin e shkollës.

“Ata që pësojnë me therje, përfundojnë në spital, mbesin pa e vijuar mësimin nga dy muaj, derisa fëmijët huliganë që e kryejnë këtë vepër penale, vazhdojnë të vijojnë mësimin”
, shprehet Mimoza Ymeri.

Ndërkaq, Besa Bytyçi, zyrtare për informim në Ministrinë e Arsimit, thotë se nuk janë të rralla shfaqjet e dukurive asociale në shkollat e Kosovës.

Kjo dukuri vjen si pasojë e faktorit socio-ekonomik, mungesa e alternativës për të shfrytëzuar kohën e lirë, si dhe shumë faktorë tjerë.

Por, sipas Bytyçit, Ministria e Arsimit është duke punuar në këtë drejtim dhe tashmë është krijuar partneritet i nevojshëm institucional për zbatimin dhe monitorimin e shkollave, parandalimin e incidenteve, sjelljeve asociale, përmirësimin e mësimdhënies dhe reagimin e duhur në rast të aksidenteve.

Ministria e Arsimit i ka dhënë vetes si objektiv parësor të bashkëpunojë me faktorë relevantë, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të involvuar në këtë çështje”.

“MASHT-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë hartuar një strategji për siguri në shkolla, për periudhën 2009-2019, që e kanë quajtur ‘Shkolla - një vend i sigurt’”
, sqaron Bytyçi.

Sipas Bytyçit, dokumenti është nënshkruar si memorandum mirëkuptimi nga pesë ministri, si: Ministria e Brendshme, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku do të veprohet në rast të përleshjeve që të rritet siguria në shkolla.

“Të gjitha institucionet i kanë marrë obligimet e veta. Po ashtu, Ministria e Arsimit ka bashkëpunim të mirë edhe me Policinë e Kosovës”
, thekson Besa Bytyçi.

Sidoqoftë, sipas organeve të rendit, çështja e fëmijëve që kryejnë vepra penale, është e rregulluar me ligj dhe varësisht nga pesha e krimit, jepet dënimi.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG