Ndërlidhjet

WSJ: "Identiteti i munguar i Evropës"


"The Wall Street Journal"

Turbullirat aktuale në Evropë, të shkaktuara nga kriza e borxheve të Greqisë, i kanë nxitur përsiatjet rreth të ardhmes së integrimit Evropian. Ato ngërthejnë mësime për kufijtë e institucioneve ndërkombëtare, dhe e nxjerrin në pah hezitimin shumë të kritikuar amerikan për t’iu nënshtruar autoriteteve të institucioneve ndërkombëtare në 20 vitet e fundit.

Integrimi evropian gjithmonë e ka patur dimenzionin ekonomik dhe politik. Ekonomikisht, reduktimi i barrierave tregtare dhe harmonizimi i sistemeve rregullatore do të stimulonte rritjen ekonomike. Teoria e unionit monetar, e cila përfshiu 16 nga 27 vendet anëtare të BE-së, ishte se kursimet në koston e transakcionit mund të shkaktojë humbjen e kontrollit mbi politikën monetare në çdo vend anëtar. Përfitimet ekonomike të integrimit tregtar janë bërë të qarta, por ato të unionit monetar mbetet të shihen.

Por, rritja ekonomike, sado e rëndësishme për njerëzit e thjeshtë, gjithmonë ka qenë shfaqje anësore për elitat politike. Synimi i vërtetë i integrimit evropian ishte politik. Për të parandaluar ringjalljen e luftërave botërore, njerëzit që jetojnë në Gjermani dhe Francë duhej ta shihnin veten si evropianë, e jo si gjermanë apo francezë, njëlloj si njerëzit që jetojnë në Kaliforni dhe Masaçusets që e shohin veten si amerikanë.

Për të arritur këtë synim ambicioz të ndryshimit të vetëdijeve kombëtare të njerëzve, liderët politikë të Gjermanisë dhe Francës duhej të konstruktojnë institucione politike Evropiane, ndaj të cilave evropianët do të ishin besnikë. Solidariteti evropian do të zëvendësonte nacionalizmin, sovraniteti do të cungohej në kuazi shtetin evropian.

Qeveritë e shteteve do t’i nënshtroheshin qeverisë së Evropës, njëlloj si në Shtetet e Bashkuara.

Për disa kohë, evropianët ua kanë rekomanduar “Modelin e Evropës” të sovranitetit të cunguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera. Ata menduan se pas modelit evropian, popullsitë e shteteve do t’i linin pas vetes dallimet e tyre dhe do ta bartnin pushtetin nga qeveritë kombëtare tek institucionet ndërkombëtare.

Por kjo ende nuk është bërë. Megjithëse integrimi evropian ka shëlnuar suksese të konsiderueshme, testi i institucioneve politike se është aftësia e tyre për të trajtuar krizën. Evropianët e kuptuan se qeverisja e papërgjegjshme mund ta minojë unionin monetar, prndaj u vendosën rregulla të ndryshme vendeve të eurozonës, si p.sh. kufizime për deficitet buxhetore.

Por këto rregulla nuk mundën të vihen në jetë dhe u shpërfillën. Tash kur kriza erdhi, qeveritë kombëtare i hodhën pas shpatullave institucionet evropiane, dhe u bënë bashkë duke iu rikthyer sovranitetit të tyre.

Kjo tregoi se interesat kombëtare të tyre janë më të rëndësishme se sa solidariteti evropian.

Mësimi për pjesën tjetër të botës është se përpjekjet për të krijuar institucione ndërkombëtare me autoritet të vërtetë politik nuk do të kenë sukses nëse ato nuk shkojnë përtej gatishmërisë popullore për t’u nënshtruar sovranitetit të disa institucioneve të largëta, ku kryesisht punojnë të huaj.(v.p.)
XS
SM
MD
LG