Ndërlidhjet

Zgjedhjet paralele, pa fitues


Foto arkiv
Foto arkiv

Zgjedhjet lokale serbe të 30 majit nuk nxorën ndonjë parti politike me vota të mjaftueshme për të formuar të ashtuquajturin pushtet lokal në Mitrovicë. Liderët e partive politike serbe thonë se presin kalkulimet për koalicione të mundshme për, siç e quajnë ata, pushtet.


Partitë politike serbe, të cilat garuan në zgjedhjet lokale në veriun e Mitrovicës, më 30 maj, të organizuara nga Beogradi, ende janë duke kalkuluar koalicionet e mundshme për konstituimin e, siç e quajnë ata, pushtetit lokal.

Kalkulimet e tilla bëhen për shkak se asnjëra nga partitë që garuan, nuk kanë fituar votat e mjaftueshme për të formuar të ashtuquajturin pushtet lokal.

Krstimir Pantiq, lider i Partisë Përparimtare Serbe, parti kjo me më së shumti vota, thotë se subjekti që përfaqëson ai kërkon koalicion të gjerë të partive, siç i quan ai, të mëdha.

“Partia Përparimtare Serbe mendon se është i nevojshëm formimi i një koalicion të gjerë të partive të mëdha, i cili në periudhën e ardhshme katërvjeçare me sukses do ta udhëhiqte Mitrovicën”.

“Një gjë e tillë është e nevojshme sidomos për shkak se na pret një periudhë shumë e vështirë dhe me plot sprova, të cilat duhet tejkaluar”,
thotë Pantiq, duke aluduar në zgjedhjet lokale, të cilat i kanë paralajmëruar institucionet e Kosovës për veriun e Mitrovicës.

Ndryshe, Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, e cila për nga numri i votave të fituara është partia e dytë, thotë se nuk pret që partia e tij do të mund të hyjë në ndonjë koalicion për pushtet.

“Opsioni i vetëm politik, për të cilin ne mendojmë se mundemi bashkërisht të formojmë qeverinë komunale, është Partia Përparimtare Serbe, si partner i koalicionit. Fatkeqësisht ajo që ka ndodhur është se të dy subjektet tona politike nuk e kemi shumicën e mjaftueshme për ta formuar pushtetin lokal”.

“Kështu që, unë nuk mendoj që ne do ta ndryshojmë programin tonë politik për shkak të disa ulëseve në Kuvendin Komunal”
, thekson Jakshiq.

Por, Oliver Ivanoviq, bartës i listës së ashtuquajtur “Liri, demokraci dhe drejtësi”, thotë se pret që partitë e njëjta, që janë në pushtet në Serbi, do ta bëjnë koalicionin për pushtet lokal edhe në Mitrovicë.

“Nuk duhet pritur se mund të ndodhë ndonjë mrekulli. Unë mendoj se raporti i forcave dhe koalicioni, i cili ekziston në nivelin e Republikës së Serbisë, do të jetë i pasqyruar edhe në nivelin e komunës”.

“Ndërkaq, mendoj se për postin e kryetarit të komunës nuk do të vendoset në nivelin lokal”
, shprehet Ivanoviq, duke shtuar se për këtë do të vendoset në nivelin qendror të Serbisë.

Në anën tjetër, Institucionet e Republikës së Kosovës dhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë thënë se zgjedhjet e 30 majit dhe rezultatet e tyre nuk do të jenë legale.

Por, liderët serbë thonë se deklaratat e tilla për ta janë të parëndësishme. Pantiq nga Partia përparimtare serbe thekson:

“Ne në Kosovë i respektojmë vetëm ligjet dhe institucionet e Republikës së Serbisë. Institucionet që kanë dalë në bazë të Planit të Ahtisaarit, ne nuk i pranojmë”.


Ngjashëm pohon edhe Oliver Ivanoviq.

“Është krejtësisht e parëndësishme ajo që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare po e përsërisin, kinse nuk do të na njohin, sepse ata nuk do të kenë bashkëbisedues tjetër”.

“Është e rëndësishme që populli ta ketë të zgjedhurit e vet, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare deshi s’deshi, do t’i duhet të bisedojë me ata që populli i pranon”
, përfundon Ivanoviq.
XS
SM
MD
LG