Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit, parakusht për veriun


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Telashet e komunave të reja kanë ndikuar që “decentralizimi dhe reforma e qeverisjes lokale të mbeten të qarta në letër dhe të turbullta në praktikë” edhe dy vjet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, vë në pah raporti i Institutit për Qeverisje Lokale.


Autoritetet vendore e ndërkombëtare e cilësuan të suksesshëm zbatimin e deritashëm të procesit të decentralizimit në Kosovë, por thanë se për arritjen e një suksesi të tillë edhe në pjesën veriore të Kosovës, është e nevojshme një kohë e pacaktuar.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të 2007-ës, kutive të votimit në nëntorin e vitit të shkuar u ishin drejtuar një numër më i madh i serbëve, duke përfshirë komunat e reja si Ranillugu, Kllokoti, Graçanica dhe Novobërda e zgjeruar.

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Raphael Naegli, tha se në veri duhet të krijohen kushtet që do të mundësonin mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve.

“Parteshi do të ketë zgjedhje pas tri javësh dhe jam mjaft i bindur që menjëherë pas kësaj, do të mund të formohet komuna funksionale”.

“Është e nevojshme më shumë kohë për Mitrovicën e veriut; kemi një ekip përgatitor komunal atje, i cili po përparon, mirëpo nevojitet më shumë kohë për t’u krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të suksesshme”,
theksoi Naegel.

Për të integruar pjesën veriore në jetën institucionale të Kosovës, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës kanë hartuar një strategji, e cila, ndër të tjera, parasheh krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore, të Zubin- Potokut, Zveçanit dhe të Leposaviqit.

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, tha se zgjedhjet lokale serbe të 30 majit të mbajtura në veri të Mitrovicës dhe në Novobërdë kanë sfiduar strategjinë për veriun, por edhe punën e deritashme të ekipit përgatitor për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

“Aq shumë afër ka qenë që, me punën e ekipit përgatitor, të bëhet komuna, ndërsa me këto zgjedhje kjo është shtyrë dhe nuk dihet se kur do të ndodhë, për arsye se faktori ndërkombëtar dhe faktori vendor duhet t’i diskreditojnë strukturat paralele, e kjo merr kohë”.


“Në këtë aspekt, i është dhënë një goditje shumë e madhe strategjisë së Qeverisë për integrimin e veriut dhe, në të njëjtën kohë, themelimit të komunave”
, tha Tahiri.

Shtimi i presionit ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar, sipas Tahirit, është parakusht për të mundësuar shtrirjen e autoritetit shtetëror të Kosovës në veri.

“Rekomandimi i ynë në këtë dokument është që ICO-ja të shfrytëzojë të gjithë autoritetin e vet që të ndikojë drejtpërdrejt te Brukseli dhe te Uashingtoni që të ketë porosi të qarta për Serbinë”,
u shpreh Tahiri.

Hapave të ardhshëm në drejtim të krijimit të komunave të reja në pjesën veriore të Kosovës, sipas zyrtarëve qeveritarë, duhet t’i paraprijë instalimi i sundimit të ligjit atje.

Pavarësisht distancimit të misionit evropian për sundimin e ligjit dhe KFOR-it, nga strategjia për veriun, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, u bëri thirrje këtyre mekanizmave që ta përmbushin misionin e tyre në veri.

“Pavarësisht se me çka funksionojnë, me 12 44, me Republikën e Kosovës apo diçka tjetër, në misionin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it saktësisht dihen termat e punës dhe obligimet që i kanë marrë si mision”.

“Sa më tepër që të ngritë kapacitete dhe të ketë sukses në implementimin e misionit të vet EULEX-i, bëhet një terren që ne na shkon për shtati për të vazhduar me implementimin e projektit tonë”
, theksoi Ferati.

Lexoni edhe këtë: Shteti ligjor në veri - ende jofunksional
XS
SM
MD
LG