Ndërlidhjet

Front i përbashkët kundër korrupsionit


Ndërtesa e EULEX-it në Prishtinë

Ndërtesa e EULEX-it në Prishtinë

Kosova ka nevojë për më shumë përparime në sundimin e ligjit, thuhet në raportin vjetor të EULEX-it rreth funksionimit të policisë, gjykatave dhe doganave. Aty, gjyqësori i Kosovës ende shihet si jo i pavarur. Ndërkaq, lidhur me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zëvendësshefi i EULEX-it, Roi Riv, mirëpriti zotimet e kryeministrit Hashim Thaçi për një front të përbashkët për luftimin e këtyre dukurive negative.


Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon një front të përbashkët partneriteti ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të BE-së për sundim të ligjit, thanë sot në Prishtinë zyrtarët e EULEX-it.

Këto komente, ata i bënë gjatë paraqitjes së raportit vjetor të monitorimit të punës së policisë, gjykatave dhe doganave të Kosovës.

Zëvendësshefi i EULEX-it, Roi Riv tha se raporti konstaton përparime, sidomos në fushën e policisë, përderisa doganat dhe sidomos gjyqësori kanë nevojë për më shumë të arritura.

Duke u ndërlidhur me rastet e hetimeve të EULEX-it ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës, të cilësuara si të ndjeshme, Roi Riv tha se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon partneritet edhe me Prokurorinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.

“Ky duhet të jetë një partneritet. Ne i kemi disa kompetenca ekzekutive të cilat po i shfrytëzojmë, por ne nuk mund të veprojmë të izoluar”,
tha Roi Riv.

Ai mirëpriti edhe zotimin publik të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që institucionet vendase të marrin rolin udhëheqës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse EULEX-i të ketë rolin e monitoruesit, ndonëse për dallim nga kryeministri, ai parapëlqei të përdorë fjalën “partneritet” në këtë angazhim.

Sidoqoftë, zyrtari i EULEX-it tha se në të ardhmen, kosovarët duhet të jenë të gatshëm që të marrin rolin parësor në të gjitha fushat.

“Zotimi i kryeministrit është i mirëseardhur për ne dhe se ju do të shihni në të ardhmen policinë dhe prokurorët shqiptarë të Kosovës duke marrë udhëheqjen në raste të shumta, kurse EULEX-i gradualisht do të tërhiqet”
, theksoi Roi Riv.

Zyrtarët e EULEX-it nuk pranuan të komentojnë në lidhje me rastet e ndjeshme, siç janë hetimet në Ministrinë e Transportit dhe ministrit Fatmir Limaj, duke thënë se ky është vetëm një rast nga shumë rastet tjera.

Raporti konstaton përparimet dhe ngecjet në fushat e policisë, gjykatave e doganave. Nga notat A, B dhe C, kryesisht dominon nota B, që në interpretimin e këtij misioni nënkupton se ka përparime, por nevojitet të bëhet më shumë.

Si zakonisht, gjyqësori mbetet fusha me më së paku përparime.

“Ende kemi çështje që ndërlidhen me pavarësinë dhe pozicionin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Aty kemi ende shembuj të kërcënimeve dhe ndërhyrjeve politike në proceset gjyqësore”,
u shpreh Roi Riv.

Organet vendase dhe ato ndërkombëtare të sundimit të ligjit morën mbështetje për punën e tyre edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu.

Gjatë takimit me kryeprokurorin e Kosovës, Ismet Kabashi, dhe kryeprokurorin e EULEX-it, Johanes Van Vresijk, presidenti Sejdiu tha se e përkrah plotësisht punën e Prokurorisë dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, në fushën e sundimit të ligjit.

Ai nuk deshi të komentojë rreth hetimeve që po bëhen ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës, por kërkoi që politika të mos përzihet në çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë.

“Unë nuk merrem me paragjykime, organet e sistemit prokurorial dhe gjyqësor duhet ta bëjnë punën e vet, pavarësisht se cili njeri që mund të ketë adresë që ka bërë shkelje të ligjit, dhe unë nuk dua të parathem se mund të jetë ky apo ai”.

“Prandaj, unë do ta përkrah sundimin e plotë të ligjit dhe zbatimin e mirë dhe punës e përgjegjësive që kanë këto institucione, sidoqoftë do t’i them në një mision fisnik”,
tha Sejdiu.

Në përgjithësi, raporti vjetor i EULEX-it lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë konstaton se me gjithë përparimet, drejtësia, policia dhe doganat, vazhdojnë të përballen me probleme serioze.

Andaj, kërkohet që reformat në polici, drejtësi dhe dogana nga “gjendja e tyre aktuale”, të kalojnë në një gjendje, siç thuhet “të dëshirueshme”.

Në bazë të mandatit që ka në Kosovë, EULEX-i monitoron, mbikëqyr dhe këshillon institucionet vendase të sundimit të ligjit për t’i përgatitur ato në arritjen e standardeve të dëshirueshme evropiane.

Ndërkaq, në fusha të caktuara, ky mision ka edhe kompetenca ekzekutive, me të cilat mund të vihet edhe mbi institucionet vendase.

Deri më tani këto kompetenca ekzekutive janë përdorur vetëm në rastin e hetimeve në Ministrinë e Transportit.

Lexoni edhe këto: Kermabo: Hetimet në MTPT, vetëm fillimi...
Funksionimi i mekanizmave antikorrupsion

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG