Ndërlidhjet

Iniciativa e kryetarit të Demokracisë se Re, Imer Selmani, për unifikimin e faktorit politik shqiptar, është hedhur poshtë nga PDSH-ja e Menduh Thaçit. Kjo parti ka kërkuar nga Selmani të kthejë mandatin e deputetit që e kishte marrë në listat e PDSH-së, ndërsa e ka akuzuar edhe për lidhje me Gruevskin dhe shërbimet tjera. Nga BDI-ja kumtuan se nuk ka nevojë për nisma të tilla, pasi, sipas saj, qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni është i unifikuar lidhur me domosdoshmërinë e integrimit euroaltnatik dhe rëndësinë që ka për Maqedoninë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, sektori civil dhe analistët kanë shprehur qëndrime të ndryshme, por edhe dyshime lidhur me këtë nismë.



Sektori civil shqiptar në vazhdimësi angazhohet dhe përshëndet çdo nismë për unifikimin e faktorit politik shqiptar, apo harmonizimin e qëndrimeve lidhur me kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

Mirëpo ky sektor vlerëson se nismat e këtilla duhet të jenë të sinqerta dhe jo në vijë të përfitimit politik apo të faktorizimit para popullatës shqiptare, e ka komentuar kryetari i OJQ-së, “Realiteti”, Valon Bela, nismën e liderit të Demokracisë së Re, për unifikimin e faktorit politik shqiptar.

“Për fat të keq, pasi ekziston mosbesimi ndaj këtyre nismave, duhet të bëhet një analizë e thellë nëse ata vërtet kanë për qëllim interesin e thelbësor të qytetarit, apo promovimin e tyre si subjekt serioz politik para shqiptarëve”
, ka deklaruar kryetari Bela nga Shoqata “Realiteti”, e cila së bashku me dhjetëra të tjera, kohë më parë, në shenjë pakënaqësie ndaj pozitës së shqiptarëve, kishin organizuar një protestë gjithëpopullore në Shkup.

Ndërkohë, nisma e Selmanit është mirëpritur nga analisti Albert Musliu.

Musliu ka thënë se është normale që partitë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me shumë çështje tjera në vend, por kur bëhet fjalë për kërkesat kombëtare, partitë, sipas tij, duhet të kenë qëndrime të unifikuara, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet zgjidhja e tyre.

“Është ide për t’u përshëndetur. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga politikanët që t’i tejkalojnë inatet personale dhe të ulen që për çështjet relevante, të mos them madhore, të kenë një qëndrim që shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht të kenë vizionin se në çfarë drejtimi jemi duke lëvizur”.

“Urojmë që krerët që shqiptarë të ulen dhe për disa çështje të kenë qëndrim të përbashkët”,
është shprehur Musliu.

Edhe analisti Xhelal Neziri ka shprehur mendimin se liderët shqiptarë duhet të bashkëpunojnë për çështjet e interesit kombëtar.

Mirëpo, sipas Nezirit, nisma e Selmanit do të dështojë, pasi ai nuk është personi adekuat që mund ta realizojë këtë synim, i cili njëherësh është synim i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.

“Pikërisht ishte Selmani që bëri përçarjet në Partinë Demokratike Shqiptare. Nga ana e tij kishte deklarata të ashpra si ndaj BDI-së, e në veçanti ndaj ish-partisë së tij, PDSH-së, dhe në disa raste deklaroi se me të gjithë mund të takohet, por vetëm me Menduh Thaçin jo”.

"Duke u nisur nga kjo vijë e qëndrimeve të Imer Selmanit, mund të konstatojmë se është thjesht një tentim për të poentuar, apo për të grumbulluar më shumë pikë në opinionin shqiptar, i cili kërkon që shqiptarët të flasin me një zë në këtë kohë kur Maqedonia gjendet para sfidave të mëdha”,
ka vlerësuar Neziri.

Ndërkohë, kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, ka thënë se iniciativa e tij synon t'i japë fund gjendjes së vështirë të shqiptarëve në Maqedoni që është pasojë e qeverisjes së keqe të partnerëve aktualë dhe se për këtë është konsultuar edhe me faktorin ndërkombëtar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG