Ndërlidhjet

Gejts: Koreja Veriore duhet të përballet me pasojat

  • RFE /RL

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts


Shtetet e Bashkuara thanë se po i konsiderojnë opsionet e reja përtej Kombeve të Bashkuara për të ndëshkuar Korenë Veriore për fundosjen e luftanijes së Koresë Jugore.

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha në Konferencën e Sigurisë në Singapor se Koreja Veriore duhet të përballet me pasojat për fundosjen, e cila shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve dhe i përshkallëzoi tensionet në siujdhesë.

Gejts i tha konferencës se shtetet e Azisë kanë “përgjegjësi kolektive” për ta adresuar fundosjen e luftanijes. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsionet e reja jashtë Kombeve të Bashkuara për ta ndëshkuar Penianin.

“Ne do të zhvillojmë stërvitje të kombinuara ushtarake me Korenë Jugore dhe e mbështesin aksionin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, ne po i vlerësojmë opsionet shtesë që Koreja Veriore të japë llogari”,
tha Gejts.

Koreja Jugore e akuzon Veriun komunist për torpedimin e luftanijes së saj, “Cheonan”, dhe të premten rastin e nxori zyrtarisht në Këshillin e Sigurimit.

Fundosja ishte incidenti më vdekjeprurës në siujdhesë që nga Lufta e Koresë, në vitet 1950-1953.

Peniani e mohoi përgjegjësinë dhe e akuzoi presidentin e Koresë Jugore, Li Mjung-bak se e po shfrytëzon incidentin për t’i përmirësuar gjasat e tij në zgjedhjet lokale këtë javë. Peniani, gjithashtu, disa herë kishte paralajmëruar se lufta mund të shpërthejë “në çdo çast”.

Gejts, po ashtu, u bëri thirrje vendeve të Azisë se përgjegjësia për mosveprimin u përket të gjithëve.

“Vendet e këtij rajoni e ndajnë detyrën e adresimit të këtyre provokimeve të rënda. Mosveprimi do të çonte në abdikimin e përgjegjësisë sonë kolektive për të mbrojtur paqen dhe përforcuar stabilitetin në rajon”
, theksoi Gejts.

Deklarata e tij në Singapor e rriti trysninë ndaj Kinës që ta qortojë aleatin e vjetër, Korenë Veriore.

Kina, e cila mund t’i vë veto çdo propozimi për rezolutë në Kombet e Bashkuara si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, deri tash ka refuzuar t’u bashkohet dënimeve ndërkombëtare të Koresë Veriore për fundosjen e luftanijes “Cheonan”.

Gejts, gjithashtu, i bëri thirrje Kinës që t’i rivendosë lidhjet ushtarake me Shtetet e Bashkuara, të cilat u pezulluan në fillim të vitit, pasi Uashingtoni njoftoi se do t’i shesë Tajvanit armatim në vlerë prej disa miliardë dollarësh.

Gejts tha se vendimi i Kinës që t’i prishë lidhjet ushtarake e minon stabilitetin në rajon dhe e ftoi Pekinin, i cili e konsideron Tajvanin territor të vetin, ta pranojë realitetin se Uashingtoni është i përkushtuar që ta armatosë ujdhesën.(v.p.)
XS
SM
MD
LG