Ndërlidhjet

Cërvenkovski: Qeveria udhëheq politikë katastrofale


Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së

Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së

Lideri i opozitës maqedonase, ish-presidenti Branko Cërvenkovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë akuzoi Qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski për jotransparencë në zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë, për bllokimin e procesit integrues dhe përkeqësimin e raporteve ndëretnike.


Jotransparencë, bllokim të procesit integrues dhe përkeqësim të raporteve ndëretnike, janë karakteristikat kryesore të punës së Qeverisë së kryeministrit Gruevski, sipas liderit të LSDM-së dhe ish-presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.

Lideri i opozitës maqedonase tha se bashkësia ndërkombëtare ka filluar ta humbë durimin dhe kjo, sipas tij, tashmë po shihet qartë edhe në forumet ndërkombëtare ku Maqedonia dita-ditës po e humb rëndësinë e saj.

Cërvnkovski theksoi se edhe në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, më 18 qershor, Maqedonia ka gjasa që të mos jetë fare në rendin e ditës.

“Më e keqja do të ishte që fare të mos gjendeshim në rend dite, por më e rëndësishmja është se njohuritë tona flasin se ne nuk do ta marrim datën për fillimin e bisedimeve”.

“Si rezultat i gjithë kësaj, pres që në periudhën që vjen, të ketë një demonstrim të dëshpërimit nga ana e BE-së dhe pasivizimin e tyre për procesin e integrimit të Maqedonisë në BE”,
deklaroi Cërvenkovski.

Ai, ndërkohë thas se pret rritje të aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrimin e vendit në NATO. Mirëpo, edhe ky angazhim, sipas tij, nuk do të jetë afatgjatë, por në tre-katër muajt e ardhshëm, deri në samitin e nëntorit të NATO-s, që do të mbahet në Portugali.

“Në këtë kontekst, e vlerësoj edhe vizitën në Shkup dhe Zagreb të ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon, i cili erdhi me porosi të qarta dhe të palëkundura se nga ana e tyre ofrohet një angazhim dhe përfshirje më e madhe në procesin e negociatave me Greqinë, megjithëse kjo do të jetë e kufizuar deri në samitin e NATO-s”.

“Në rast se e lëshojmë këtë shans, mund që të vijmë në situatë që për një periudhë më të gjatë të bllokohen dy proceset integruese në NATO dhe BE. Do të ishte shumë keq, madje edhe katastrofale për të ardhmen e vendit, nëse BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-të ngrenë duart nga Maqedonia”,
u shpreh Cërvenkovski.

Ai tha se gjithë ky proces bllokues që po udhëheq qeveria, po reflektohet edhe brenda vendit në sferën e marrëdhënieve ndëretnike, të cilat janë përkeqësuar në masë të madhe.

Cërvekovski vlerësoi angazhimin e partnerit shqiptar në qeveri, BDI-së, për zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe qasjen ndaj problemeve tjera, pasi zgjidhja e këtyre problemeve, sipas liderit të LSDM-së, do të ishte në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

“Maqedonia nuk ka alternativë serioze dhe kjo duhet të jetë prioriteti ynë më i lartë i të gjithë politikanëve, e, para së gjithash i atyre që janë në pushtet”
theksoi Cërvekovski.

Lideri i LSDM-së tha se partia që ai drejton, vazhdon të luajë rol konstruktiv në kapërcimin e këtyre problemeve. Ai theksoi se LSDM-ja do të pranojë çdo zgjidhje që do të ofrojë Qeveria, për zgjidhjen e çështjes së emrit, me kusht që ajo të mos i prekë interesat kombëtare dhe shtetërore.

Cërvenkovski tha se nuk pret që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi mbajtja e tyre, sipas tij, do të demaskonte edhe më shumë politikën e bllokimit të procesit integrues të Qeverisë aktuale.
XS
SM
MD
LG