Ndërlidhjet

Ç’po ndodh me strategjinë për veriun?


Opozita dhe analistë në Kosovë thonë se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Mitrovicës, strategjia për integrimin e kësaj pjese ka dështuar. Por, këto pohime hidhen poshtë nga ICO-ja, e cila bashkë me Qeverinë, ka hartuar strategjinë për ta kthyer veriun në sistemin kosovar.


Skepticizmi për zbatimin e strategjisë, që synon kthimin e autoritetit të Prishtinës në veri, është rritur në mesin e opozitës, por edhe të analistëve, pas mbajtjes së zgjedhjeve serbe paralele në Mitrovicë.

Mendimi se pas zgjedhjeve serbe, strategjia mund të quhet e vdekur, nuk është i pranishëm vetëm te disa analistë kosovarë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se deri tash, përveç deklaratave politike, nuk është parë asnjë hap konkret, që do të dëshmonte të kundërtën.

“Tash mund të thuhet se në veçanti, pas mbajtjes së zgjedhjeve serbe në atë pjesë të vendit, as që ekziston një strategji e tillë, përndryshe po të ekzistonte ajo, do të futej në veprim, sepse jemi në muajin e gjashtë dhe nuk kemi asnjë veprim konkret, përmes të cilit do të pretendohej të realizohej, apo implementohej një strategji e tillë”
, thotë Makolli.

Por, këto pretendime hidhen poshtë nga Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila është bashkë-hartuese e strategjisë.

“Nuk mendoj se është vlerësim korrekt të thuhet se qasja e përgjithshme për integrimin e veriut ka marrë fund. Në të vërtetë, ekipi përgatitor komunal po vazhdon punën e vet, po i afrohet fundit të fazës së trajnimit. E di që Qeveria e Kosovës ka plan për të hapur një zyrë, që do të ofrojë shërbime për njerëzit, të cilët jetojnë në veri të Mitrovicës”.

“Unë mendoj se tashmë kemi progres konkret, kemi arritje konkrete dhe do ketë edhe më tej. Ka qenë gjithnjë e qartë se do të jetë një qasje graduale, se progresi do të jetë i bazuar nga ajo se sa do të pranohemi nga banorët lokalë”,
deklaron zëdhënësi i ICO-s, Endi Mekgafi.

Por, në të vërtetë nuk është vetëm Qeveria e Kosovës ajo që merr kritika për moszbatimin e strategjisë, e cila u publikua në fillim të këtij viti.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, kritikon praninë ndërkombëtare se i mungon gatishmëria për t’u përballur me strukturat paralele serbe, të cilat e kanë pushtetin në veri.

Prania civile ndërkombëtare në Kosovë nuk po arrin që të gjejë një mënyrë të zhbllokimit të asaj gjendjeje atje dhe të eliminimit të strukturave të Serbisë dhe vendosjen e strukturave të Kosovës”, thekson Makolli.

Në kohën kur u promovua nga Qeveria dhe ICO-ja, për zbatimin e strategjisë qenë vënë edhe disa afate kohore. Një nga ta, që konsiderohej edhe si më i rëndësishmi, shpallja e zgjedhjeve lokale për komunën e re të Mitrovicës, u shkel menjëherë.

Këto zgjedhje qenë paraparë të mbaheshin në vjeshtë të këtij viti, por vetë ministri i Pushtetit Lokal hedh poshtë këtë mundësi, duke thënë se duhet pjekur kushtet para se të shpallen ato.

Megjithatë, për Endi Mekgafin, shkelja e afateve kohore për zbatimin e strategjisë, nuk ka ndonjë rëndësi përballë synimit kryesor - shtrirja e sundimit të ligjit në veri.

“Mbase do të marrë më shumë kohë në veri të Kosovës që të shihen përfitimet e kësaj strategjie, por ne besojmë se do ta arrijmë. Gjithmonë kemi thënë se do të kemi qasje graduale dhe për ne qëndrueshmëria është më e rëndësishme, sesa arritja e afateve kohore”,
thekson Mekgafi.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës thonë se, as Qeveria, e as ICO-ja nuk e kanë menduar mirë strategjinë që do ta kthente njëherë e përgjithmonë veriun në sistemin unik kosovar.

Kjo, për arsye se siç thonë, nuk u përcaktuan qartë mekanizmat e sigurisë, që do të ndihmonin zbatimin e kësaj strategjie, në atë pjesë ku Prishtina, nuk arriti të shtrijë pushtetin tash 11 vjet.
XS
SM
MD
LG