Ndërlidhjet

Vazhdojnë hetimet...


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

EULEX-i përsërit se po i vazhdon hetimet kundër zyrtarëve, që janë të përfshirë në korrupsion, por nuk i komenton njoftimet e mediave në lidhje me arrestimet e shpejta të mundshme. Derisa zyrtarë të Qeverisë shprehen të gatshëm për bashkëpunim me EULEX-in, opozita kërkon “spastrimin e Qeverisë nga ministrat e korruptuar”.


EULEX-i thotë se hetuesit dhe prokurorët e këtij misioni po vazhdojnë të hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet e Kosovës.

Ky mision ka nisur në muajin prill një operacion kundër korrupsionit, me bastisjen e Ministrisë së Transportit dhe pronave të zyrtarëve të kësaj ministrie. Por, deri më tash nuk është arrestuar askush.

Sapo të kemi prova të mjaftueshme, ne do ta dërgojmë çështjen në gjykatë”, thotë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, duke mos pranuar të komentojë njoftimet e vazhdueshme nëpër media për mundësinë e ngritjes së aktakuzave.

“Nuk i komentojmë hetimet dhe çka mund, apo s’mund të ndodhë në të ardhmen. Hetuesit e EULEX-it, prokurorët, policët po e kryejnë punën e tyre dhe ne nuk i komentojmë provat jashtë gjykatës. Nuk duam ta bëjmë këtë përmes mediave, sepse gjykata është vendi ku duhet të diskutohen provat”
, shprehet Herodes.

Njoftimet në media se në këtë javë priten arrestimet e para nga ana e misionit evropian për sundimin e ligjit, kanë ngjallur reagime tek udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se nuk është i informuar nga EULEX-i lidhur me ndonjë operacion të mundshëm.

“Unë, personalisht jo, absolutisht jo, shumicën e gjërave po i lexoj në gazeta”, thotë Kuçi, duke i quajtur këto njoftime më tepër si spekulime.

“Këto janë pjesë e diskutimeve, spekulimeve që po bëhen. Puna e rendit dhe e ligjit është e ndarë, puna e politikës është e ndarë. Njëra dhe tjetra i kanë rrugët e ndara dhe nuk duhet të afektojnë”
, thekson Kuçi.

Javën e kaluar vetë kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se janë 111 zyrtarë të institucioneve që po hetohen për ndërlidhje të mundshme me korrupsion.

Përderisa kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e tij ka nisur luftën kundër fenomenit të korrupsionit dhe ka kërkuar të ketë rol udhëheqës në këtë drejtim, opozita kërkon që fillimisht të largohen ministrat e dyshuar për korrupsion.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, thotë se misioni evropian nuk duhet t’i frikësohet ndonjë destabiliteti të mundshëm politik, por duhet ta çojë në fund sundimin e ligjit.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe ai duhet të veprojë. Ka ardhur koha kur duhet të adresohet tema e korrupsionit, kur duhet të fillohet spastrimi i kësaj qeverie nga ministrat e korruptuar”.

“Megjithëse, ne jemi të bindur se problemi kyç në këtë qeveri është institucioni i kryeministrit apo lidershipi i sotëm i Kosovës, që është përgjegjës për përhapjen e korrupsionit”
, thotë Shala.

Shala bën të qartë se AAK-ja është e hapur të bashkëpunojë edhe për ata ish-ministra që dyshohet se u përfshinë në afera korruptive, gjatë kohës sa kjo parti ishte në pushtet.

“EULEX-i është i mirëpritur t'i trajtojë të gjitha çështjet e korrupsionit që nga viti 2000 e tutje, pra që nga zgjedhjet e para të lira që janë mbajtur në Kosovë”.

“Në asnjë nivel, pa marrë parasysh se a është i nivelit qendror apo lokal, dhe në asnjë etapë historike nuk ka dhe nuk mund të ketë amnisti për asnjë ministër, për asnjë zyrtar i cilësdo qoftë parti, i cili ka qenë apo është i korruptuar”,
thekson Shala.

Ditë më parë, shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Iv de Kermabo, ka thënë në paraqitjen e tij para Parlamentit Evropian, se EULEX-i është i vendosur që t’i hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike.
XS
SM
MD
LG