Ndërlidhjet

WSJ: “Përplasja e civilizimeve të Turqisë”


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

"The Wall Street Journal"

Nga koha kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim mori pushtetin në vitin 2002, politika e jashtme e Turqisë ka ndryshuar për 180 shkallë.

Lidhjet e fuqishme të këtij vendi me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin janë dobësuar, bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian janë bllokuar, ndërsa Ankaraja ka dalë në mbrojtje të programit bërthamor të Iranit. Shkaku i kësaj kthese është shumë i thjeshtë: kryeministri Rexhep Taip Erdogan dhe qeveria e tij besojnë se Samuel Huntington ka pasur të drejtë dhe se kemi të bëjmë me përplasjen e civilizimeve.

Por, ata janë në anën e islamistëve, jo të Perëndimit.

Për Partinë e Drejtësisë “lidhjet tradicionalisht të fuqishme me Perëndimin paraqesin një proces të tjetërsimit”. Ky është një citat nga analiza “Thellësia strategjike” e ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.

Perëndimi mund të bëjë pak për të ndryshuar politikën e jashtme të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Në fakt disa politikëbërës në Uashington dhe në qendrat evropiane pa vetëdije kanë ndikuar në ngritjen e kësaj politike.

Duke besuar se partia e reformuar islamiste për Drejtësi dhe Zhvillim mund të bëhej urë lidhëse ndërmjet Perëndimit dhe vendeve myslimane, ata kanë promovuar Qeverinë e Turqisë si ndërmjetësues special në rajon dhe e kanë kursyer nga kritikët që ishin të shqetësuar për orientimin e saj në planin e politikës së jashtme.

Të lejosh një katalizator të tillë islamist në konfliktin e Lindjes së Mesme prodhon rezultate shkatërruese. Për faktin që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim sheh kudo përplasje civilizimesh, ajo nuk mund të jetë ndërmjetësuese e paanshme.

Kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ishte lejuar të ndërmjetësonte ndërmjet Hamasit dhe autoriteteve palestineze ose Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ajo ishte bërë tribunë për palën islamiste duke dalë në mbrojtje të tyre.

Tetë vjet pas pushtetit dominant dhe autoritar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, shumë turq tash botën e shohin nën prizmin e islamistëve dhe përplasjes së civilizimeve.

Perëndimi duhet të ballafaqohet me realitetin, sepse me gjithë anëtarësinë në NATO, Turqia nën udhëheqjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim nuk mund të konsiderohet edhe më tej aleat i Perëndimit.

Në përpjekjen për të frenuar ndikimin islamist të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim jo vetëm në Turqi, por edhe në rajon, Perëndimi duhet t’i mohoj Qeverisë së Erdoganit ndikimin dhe prestigjin që vjen si pasojë e promovimit të saj si ndërmjetësues rajonal.

Është koha që liderët perëndimorë ta distancojnë vetveten nga Ankaraja.(m.k.)
XS
SM
MD
LG