Ndërlidhjet

Dëmet nga nafta do të zgjasin me vite


Gjiri i Meksikës
Gjiri i Meksikës

Dëmet nga derdhja masive e naftës në brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara do të zgjasin me vite, thonë zyrtarët amerikanë që e mbikëqyrin operacionin e pastrimit.

Kolapsi i platformës së kompanisë “British Petroleum” më 22 prill, tash është bërë katastrofa më e madhe e mjedisit në historinë e Amerikës.

Do të duhen vite të tëra që të “riparohen” brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara.

Admirali i Rojës Bregdetare, Tad Alen, e informoi presidentin Barak Obama për përpjekjet e fundit të kompanisë “British Petroleum” për të zvogëluar sasinë e naftës që derdhet në det nga burimi i platformës “Deepwater Horizon”, në Gjirin e Meksikës.

“Për t’u përballur me derdhjen e naftës në sipërfaqen e ujit do të duhen disa muaj. Vetëm atëherë do të mund të merremi me këtë. Çështja afatgjatë e rivendosjes së ekosistemit dhe mjedisit do të marrë disa vjet”
, tha Alen, pas takimit me presidentin Obama.

Ai tha se kupola gjigante që është vendosur mbi burimin e naftës grumbullon rreth 1.75 milionë litra naftë në ditë.

Lajmi i mirë është se sasia është rritur në ditët e fundit dhe BP thotë se mendon se mund të dyfishohet brenda disa ditëve.

Lajmi i keq është se nga tubacioni i dëmtuar ende rrjedhin rreth 3.8 milionë litra naftë në ditë.

Obama tha se ndikimi ekonomik nga katastrofa “do të jetë substancial dhe do të zgjasë”. Por, ai shprehu bindjen se katastrofa, e cila hyri në javën e shtatë, mund të ndalet dhe dëmet të riparohen.

“Kjo do të ndalet. Mund të marrë pak kohë dhe do të duhen shumë përpjekje. Do të ketë dëme në brigjet e Gjirit, si dhe do të ketë dëme ekonomike, andaj duhet të sigurohemi se ‘BP’ është përgjegjëse për kompensimin e njerëzve. Por, jam absolutisht i bindur se ne do ta kapërcejmë këtë krizë”,
tha Obama.

Njolla e ngushtë, e gjatë 160 km në Gjirin e Meksikës shtrihet nga Luiziana në Florida. Rreth 193 km të brigjeve janë prekur, ndërsa peshkimi është reduktuar në një të tretën.

Shkatërrimet në faunën e rajonit janë të mëdha. Shpezë të shumta po përpiqen të shmangen nga mjediset e ndotura me naftë.

Admirali Alen e karakterizoi situatën si derdhje që nuk është më e njëtrajtshme, por si grumbull i qindra njollave të naftës. “Ne duhet të përballemi me kërcënimin”, tha ai.

Në përpjekjet e pastrimit janë angazhuar qindra barka dhe dhjetëra njerëz, të cilët përpiqen t’i shpëtojnë gjallesat nga brigjet e mbuluara me naftë.

Suksesi relativ i kupolës mbi burimin e naftës i ka shtuar shpresat, por katastrofa më e rëndë në historinë e Amerikës do të ndalet vetëm atëherë kur të ndërpritet rrjedhja e naftës.

“Edhe në qoftë se kemi sukses në thithjen e sasisë më të madhe të kësaj nafte, ne nuk do ta zgjidhin problemin plotësisht derisa nuk përfundojnë operacionet që mund të zgjasin disa muaj. E dimë se shumë naftë është liruar, por e dimë po ashtu se do të derdhet edhe më shumë”
, tha presidenti amerikan, Obama.

Administrata Obama tashmë ka hapur hetime kriminale për rrethanat që çuan në incidentin, duke thënë se “BP” dhe “palët tjera përgjegjëse” duhet të paguajnë 69 milion dollarë. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se kostoja e përgjithshme e pastrimit dhe rimëkëmbjes, plus dënimet, mund të shkojnë në shumë miliarda dollarë. (v.p.)

XS
SM
MD
LG