Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja e Bankës Botërore


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zbatimi i marrëveshjeve për kredi dhe donacione, të arritura mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore është dashur të fillojë. Autoritetet e vendit thonë se mundësitë për shtyrje ekzistojnë, pasi nuk bëhet fjalë për ultimatum.


Sot është data e fundit kur është dashur të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore për kredi dhe donacione në vlerë prej 20. 25 milionë dollarësh, thotë Bashkim Isufi, këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

Isufi shpjegon se me gjithë datën e përcaktuar, nuk bëhet fjalë për ultimatum.

“Nuk flitet për ultimatum, janë procedura të Bankës Botërore, prej momentit kur nënshkruhen marrëveshjet nga ana e Qeverisë, para se të shkojnë për aprovim në Kuvend, kërkohen afër 90 ditë periudhë të aprovimit nga ana e Kuvendit. Më 8 qershor është planifikuar që të skadojë kjo periudhë dhe do të kemi mundësi të kërkojmë shqyrtimin e afatit të fillimit të projektit”
, thotë Isufi

Kuvendi i Kosovës dy herë radhazi nuk ka arritur që të ratifikojë marrëveshjen e Bankës Botërore për kredi që ka për qëllim financimin e projekteve për modernizimin e sektorit publik dhe regjistrimin e pronave.

Megjithatë, Isufi thotë se mundësitë për shtyrje dhe rikonfirmim për procedurat që do të mundësonin nisjen e zbatimit të marrëveshjeve, ekzistojnë.

“Nëse marrëveshjet e tilla nuk do të aprovohen nga ana e Kuvendit, atëherë ne duhet të komunikojmë me Bankën Botërore dhe të shohim, eventualisht, shtyrjen e këtij afati të fillimit të realizimit të këtij projekti”.


“Ka disa ide, një sugjerim që ka ardhur nga Banka Botërore, se do të mund ta shtyjmë për një periudhë dy deri në tre mujore, afatin e fillimit të zbatimit të këtij projekti. Jemi duke e shqyrtuar këtë dhe besoj se së shpejti do të marrim një vendim”,
thekson Isufi.

Ndryshe, marrëveshja fillimisht nuk është ratifikuar për faktin se ligjvënësit kanë kërkuar të njihen më në detaje me përmbajtjen e materialit. Për të dytën herë ajo nuk është ratifikuar në mungesë të kuorumit, meqë një procesi të këtillë i nevojiten 81 vota.

Por, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet ta votojnë marrëveshjen në fjalë.

Isa Mulaj vlerëson se duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, refuzimi i kësaj marrëveshjeje përcjell mesazhe negative tek institucionet financiare ndërkombëtare.

“Është mesazh jo i hijshëm, për shkak se jemi vend shumë i varfër dhe të dalim me vendime që refuzojmë, madje, edhe grante, nuk është e mirë”.

“Kjo çka ka ndodhur për momentin në Kuvendin e Kosovës, është një mësim shumë i mirë se si duhet të veprojmë me kreditë tjera, të cilat tashmë janë alokuar”
, vlerëson Mulaj.

Megjithatë, Bashkim Isufi, këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, shpreh shpresën se në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet më 10 qershor, marrëveshjet e Bankës Botërore do të ratifikohen.

“Po, ne besojmë që të gjitha informacionet dhe konsultimet e duhura tashmë janë bërë dhe konsiderojmë se kjo do të kalojë”.

“Unë besoj se një gjë e tillë do të aprovohet dhe kam bindjen se edhe Kuvendi, tashmë do ta vlerësojë më drejt situatën dhe do të mobilizohen, në mënyrë që në seancën e radhës të kemi mjaft kuorum dhe të votohen këto marrëveshje”
, shprehet Isufi.

Marrëveshja për marrjen e kredisë për financimin e dy projekteve nga Banka Botërore është bërë pas nëntë muajsh që nga anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë institucion.

Shuma e përgjithshme arrin në 20.25 milionë dollarë, prej tyre 9.11 milionë dollarë janë donacion, kurse 11.15 milionë dollarë janë kredi e butë.

Lexoni edhe këto: Kredia e BB-së, test për Kosovën
A do të ratifikohet kredia nga BB?


  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG