Ndërlidhjet

OKB: Diskutohet për sanksione ndaj Iranit

  • Nik Krastev
  • Heather Maher

Organizata e Kombeve të Bashkuara

Organizata e Kombeve të Bashkuara

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të debatojë për raund të ri sanksionesh kundër Iranit. Kështu, mbyllet edhe diplomacia intensive e Shtëpisë së Bardhë për të bindur komunitetin ndërkombëtar se programi bërthamor i Iranit paraqet kërcënim për botën.


Në prag të votimit për një raund të ri të sanksioneve kundër Iranit, Shtetet e Bashkuara thonë se dera është ende e hapur për Teheranin, që ta zgjedhë diplomacinë dhe t’u shmanget sanksioneve ekonomike.

Por, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Filip Krouli, tha se Shtetet e Bashkuara do të votojnë për rezolutën për sanksione, pasi Uashingtoni “nuk po sheh se Irani do ta ndryshojë kursin” dhe dëshiron të dërgojë “mesazh të fuqishëm, ndërkomëbtar dhe të drejtpërdrejtë tek Irani, se duhet ta ndryshojë kursin”.

“A është rruga diplomatike ende e hapur? Natyrisht. Por, në të njëjtën kohë, ne do të zbatojmë presion ndaj Iranit, për ta bërë të qartë se dështimi i tij për t’i plotësuar obligimet e tij, ka konsekuenca”, tha Filip Krouli.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në sesionin e mbyllur, do të diskutohet për propozimin për sanksione, për të cilat kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, tha se “praktikisht është dakorduar”.

Së bashku me Kinën, Rusia është njëra nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit me të drejtë të vetos, te të cilat Shtetet e Bashkuara kanë lobuar veçanërisht shumë, gjatë disa muajve të kaluar, në përpjekje për forcimin e kërcënimit me sanksione, nëse Irani vazhdon të mos i respektojë obligimet e tij ndërkombëtare, sipas Marrëveshjes për Moszgjerim.

Të dyja vendet tradicionalisht i kanë kundërshtuar sanksionet e ashpra kundër Iranit dhe me sukses ia kanë dalë t’i dobësojnë të tria rezolutat e sanksioneve të deritashme. Kësaj radhe, si Pekini, ashtu edhe Moska, pritet t’i bashkohen votimit për sanksione në Këshillin e Sigurimit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Sjuzën Rajs, i përshkroi propozim-sanksionet si “shumë të fuqishme”.

“Ekzistojnë ndalesa të obligueshme ndaj investimeve iraniane në kapacitetet e uraniumit dhe në aktivitetet jashtë. Ka kufizime obliguese për armatim. Ka ndalesa obliguese për lansimin e raketave balistike, që mund të bartin armatim atomik. Ky është një varg i hapave, që së bashku rezultojnë me regjim të obligueshëm të inspektimit”, tha Sjuzën Rajs.

Tubimi i sotëm në Kombet e Bashkuara është parë si përpjekje nga pesë anëtarët e përhershëm të Kombeve të Bashkuara: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, për t’i akomoduar pikëpamjet e Brazilit dhe Turqisë.

Të dy anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit e kanë arritur një marrëveshje të ndarë për karburant atomik me Iranin, që ishte hedhur poshtë nga Perëndimi, si diçka që është pak dhe e vounar.

Privatisht, diplomatët thonë se përpjekje madhore ishin bërë nga Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, për ta bindur Brazilin dhe Turqinë që të abstenojnë nga votimi, e jo t’i kundërshtojnë sanksionet.

Ambasadorët e të dyja vendeve kanë thënë se pozicioni i tyre ende nuk është final.

Por, edhe me dy vota kundër, sanksionet do të kalojnë, megjithëqë mendohet se kundërshtimi i hapur ndaj sanksioneve nga ana e dy ose më tepër anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, do ta forconte qëndrimin e Iranit në vazhdimin e mospërfilljes së obligimeve të tij ndërkombëtare.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha se sanksionet e OKB-së do të mundësonin platformë juridike për shtetet individuale që “të ndërmarrin hapa shtesë, që shkojnë përtej vetë rezolutës”.

“Kryesor këtu është kombinimi i diplomacisë dhe i presionit për t’i bindur iranianët se ata po lëvizin në drejtim të gabuar, në kuptimin e sigurisë së tyre, se ata do ta dëmtojnë sigurinë e tyre, duke zhvilluar armatim bërthamor, e nuk do ta forcojnë atë”, tha Robert Gejts. (f.b.)
XS
SM
MD
LG