Ndërlidhjet

Pa strategji për reformimin e gjyqësisë


Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë pranojnë se nuk kanë një strategji konkrete për reformimin e sistemit gjyqësor, por, megjithatë, i pohojnë përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen në drejtim të reformave. Në anën tjetër, njohësit e sistemit gjyqësor kritikojnë institucionet për mungesë të një strategjie të tillë.



Reformimi i sistemit të drejtësisë, ndonëse ka filluar para më shumë se një viti me anë të procesit të riemërimit të gjyqtarëve e prokurorëve, vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur, vlerësojnë njohësit e sistemit të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, thotë se ministria që ai drejton aktualisht nuk ka një strategji konkrete për reformimin e sistemit gjyqësor, porse, sipas tij, ekziston një proces.

“Strategji konkrete nuk ka, mirëpo ka një proces, sepse ne kemi bërë një analizë të sistemit gjyqësor të Kosovës në përgjithësi dhe është vërejtur se ky sistem aktualisht ka disa mangësi”.

“Fakti që ka mangësi është parë edhe nga puna joefikase, që do të thotë se kemi rreth 200 mijë lëndë, të cilat janë të pazgjidhura. Dhe, me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje, ne kemi shkuar në reformimin e sistemit gjyqësor”,
thotë për Radion Evropa e Lirë ministri Demolli.

Se institucionet e Kosovës nuk kanë strategji për reformimin e sistemit të drejtësisë e konfirmon edhe Ariana Qosaj Mustafa, juriste në Institutin KIPRED. Sipas saj, për një reformim të duhur, duhet të ketë plane të veçanta dhe strategji konkrete.

“Ju e dini se KIPRED-i, edhe më herët, ka shprehur një shqetësim lidhur me atë se nuk ekziston një strategji apo plan i caktuar se si të bëhet reformimi në gjyqësi, apo cili do të jetë drejtimi, do të thotë i investimit në gjyqësor, që të ketë një zbatim efektiv të luftës kundër korrupsionit”, thotë Qosaj Mustafa.

Megjithatë, ministri Demolli thekson përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë. Ai jep më shumë detaje rreth hapave të ndërmarrë:

“Ministria e Drejtësisë aktualisht është duke kryer aktivitetet e veta që kanë të bëjnë me këtë reformim. Në radhë të parë, mendoj në kompletimin e infrastrukturës ligjore”.

“Tash për tash, ministria ka përgatitur katër draft-ligje, të cilat janë në procedurë e sipër. Njëri nga draft-ligjet kryesore është ai mbi gjykatat e Kosovës. Kemi të bëjmë edhe me draft-ligjet mbi Këshillin Prokurorial, mbi Këshillin Gjyqësor dhe mbi Prokurorinë e Shtetit”.

“Përveç infrastrukturës ligjore, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Qeverinë, është duke shqyrtuar edhe mundësinë e rritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët”,
thekson Demolli.

Numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve, pagat e vogla dhe pasiguria në punë numërohen ndër arsyet kryesore që e bëjnë sistemin gjyqësor në Kosovë të brishtë dhe rrjedhimisht e vënë në thumb të kritikave të shpeshta nga ana e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë.

Ariana Qosaj Mustafa thotë se reformimi jo i duhur i sistemit të drejtësisë dëshmohet me faktin se në Kosovë, sipas saj, mungon koordinimi institucional dhe strategjia për sundimin e ligjit.

“Reformimi i gjyqësorit është një proces, i cili po zgjat shumë. Ajo që duhet të bëhet është që të investohet në atë reformim, i cili duhet të jetë reformim substancial, të investohet edhe në resurse adekuate për gjyqësorin, në kuptimin e rritjes së numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve”, thotë Qosaj Mustafa.

Me reformimin e sistemit të drejtësisë janë paraparë tri faza të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve e prokurorëve, por deri më tash ka përfunduar vetëm faza e parë.

Në shumë hulumtime të opinionit, të bëra nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, gjyqësori prin si institucioni më i korruptuar. Nga ana tjetër, edhe juristët kosovarë alarmojnë për situatën e krijuar në gjyqësor dhe bëjnë thirrje për një zgjidhje urgjente.

Lexoni edhe këto: Rreth 100 mijë aktvendime presin zbatimin
Funksionimi i mekanizmave antikorrupsion
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG