Ndërlidhjet

logo-print

Kosova e Serbia të vendosin vetë për bisedimet


Samuel Zhbogar, ministër i Jashtëm i Sllovenisë dhe Skënder Hyseni, ministër i Jashtëm i Kosovës (Prishtinë, 19 prill 2009)

Samuel Zhbogar, ministër i Jashtëm i Sllovenisë dhe Skënder Hyseni, ministër i Jashtëm i Kosovës (Prishtinë, 19 prill 2009)

Pas përfundimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova dhe Serbia duhet ta caktojnë vetë agjendën e bisedimeve teknike, tha në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar.


Përmbyllja e procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do t’u hapë rrugën bisedimeve teknike për relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u tha të mërkurën, pas një takimi që ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, zhvilloi me homologun e tij nga Sllovenia, Samuel Zhbogar.

Diplomati slloven tha se dëshironte që ta shihte edhe Kosovën sa më shpejt të integruar në Bashkimin Evropian. Ai me këtë rast mori si shembull marrëdhëniet e mira që Sllovenia ka tashmë me Kroacinë, duke u preferuar edhe Kosovës dhe Serbisë që të ndjekin shembullin e njëjtë të fqinjësisë së mirë.

Ndonëse raportet e mira fqinjësore janë një prej kritereve kryesore për përfshirjen e vendeve në integrimet evropiane, Zhbogar tha se duhet të jenë Prishtina dhe Beogradi palët që e caktojnë agjendën e bisedimeve pa imponime nga jashtë.

“Duhet të ketë një marrëveshje midis të dyja palëve që të fillojnë bisedimet, si dhe për formatin dhe substancën e këtyre bisedimeve. Askush nga jashtë nuk mund të ndikojë në njërën apo palën tjetër që të shkojë detyrimisht në këto bisedime, sepse kjo duhet bërë me pajtimin e palëve”,
tha Zhbogar.

Ndërkaq, për mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai tha se duhet pritur të shihet, pasi që ky mendim i përket Gjykatës.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, përsëriti qëndrimin e Prishtinës zyrtare se Kosova dëshiron të ketë raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë.

Ministri Hyseni tha se bisedimet mund të nisin, por mbi parimin e dy shteteve të barabarta dhe për çështje praktike që nuk kanë të bëjnë me statusin dhe çështjet e brendshme të Kosovës.

“Sa i përket Kosovës do të ketë (bisedime) dhe ne jemi të gatshëm. Nëse ka të bëjë me bisedat që lidhen me statusin e Kosovës, ose me disa skenarë të përfolur për ndarje të Kosovës, biseda të tilla nuk do të ketë asnjëherë”.

“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe do të mbetet i tillë dhe asnjëherë nuk do të bisedojë me askënd për sovranitetin e saj”
, tha Hyseni.

Ministri Hyseni i cilësoi si spekulime disa shkrime në mediat serbe, sipas të cilave, diplomacia e Serbisë po ndikon që Kosova të dështojë në lobimin e saj për njohje të reja në Amerikën Latine, përfshirë edhe aktivitetet mbështetëse për këtë qëllim të ish-presidentit amerikan, Bill Klinton.

“Unë jam i mësuar me këso rrëfimesh, vërtet, fantastike që plasohen në opinion për të dalë pas dy ditësh dhe thënë se ia dolëm ta pengojmë një valë të re të njohjeve të Kosovës”.

“Agjendën e presidentit Klinton nuk besoj se e di kush, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd - është vetë presidenti Klinton ai që e bën agjendën dhe vendos”
, theksoi Hyseni.

Të dy ministrat e jashtëm kanë folur edhe për marrëdhëniet, siç thanë ata, shumë të mira që kanë Kosova dhe Sllovenia, si dhe janë angazhuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri Samuel Zhbogar i shoqëruar edhe nga një delegacion nga Sllovenia, u prit edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, si dhe zhvilloi takime me Odën Ekonomike dhe komunitetin e biznesit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG