Ndërlidhjet

Veriu në ngërç


Ura në Mitrovicë
Ura në Mitrovicë

E ardhmja e veriut të Mitrovicës, ku javën e kaluar u mbajtën zgjedhjet serbe, sipas analistëve, mbetet e padefinuar, ndërsa strategjia për veriun nuk po gjen zbatim. Analistët thonë se joshja përmes investimeve, mund ta integrojë këtë pjesë në sistemin unik kosovar.


Nëse do të shkonin planet, siç qenë paraparë, në muajt e verës, përveç përgatitjeve për krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës, do të organizohej edhe fushata zgjedhore.

Por, zgjedhjet kosovare nuk po mbahen në vjeshtë, ndërsa zgjedhjet serbe që u mbajtën para një jave, sipas analistëve, goditën rëndë përpjekjet e institucioneve që përmes strategjisë për veriun, ta integrojnë këtë pjesë.

Gjashtë muaj pas daljes me strategjinë për veriun, Krenar Gashi nga Instituti KIPRED, thotë se Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, duhet ta rishqyrtojnë sërish atë.

“Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka qenë goditja më e madhe që ka mundur t’i ndodhë strategjisë për veriun. Kësisoj, kjo strategji, në një mënyrë duhet rikonsideruar”.

“Integrimi i veriut tani varet nga dy faktorë: atij ndërkombëtar, gjegjësisht Brukselit dhe mënyrës se si ata do të sillen me Beogradin, sa i përket kësaj çështjeje; dhe faktorit vendor, ku pritet në fakt aktivizimi i pakos ekonomike për zhvillim në këtë zonë”
, thotë Gashi.

Kryeministri Hasim Thaçi pati shpallur fondin, përmes të cilit do të zbatohej strategjia, që synon kthimin e pjesës veriore në sistemin unik kosovar. Por, analistët thonë se ende nuk po shihet investim konkret në këtë pjesë, ku strukturat paralele serbe mbajnë pushtetin.

Analisti Arben Qirezi shpreh dyshim për zbatimin e strategjisë, meqë, siç thotë ai, vetë hartuesit e saj, kanë vizione të ndryshme për dokumentin.

“Strategjia si e tillë ende nuk ka ndonjë bazë të përbashkët, sepse mendoj se institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, mbase kanë edhe vizione jo të ngjashme rreth metodës se si do të duhej të aplikohej kjo strategji në veri”.

“Mos të harrojmë, se përderisa institucionet e Kosovës këtë dokument e quajnë strategji, bashkësia ndërkombëtare e quan këtë dokument si qasje ndaj veriut, që e zbut paksa relevancën e këtij dokumenti
”, thotë Qirezi.

Zyra Civile Ndërkombëtare që ka hartuar së bashku me Qeverinë strategjinë, këmbëngul se plani për integrimin e veriut nuk ka dështuar, por thekson se zbatimi mund të marrë kohë më shumë sesa që është paraparë.

Por, analisti Krenar Gashi kërkon vendosmëri më të madhe, jo vetëm nga vendorët, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Duhet një kujdes i shtuar kur flitet për veriun, por ajo që e kemi parë deri tash ka qenë një kujdes i tejshtuar i bashkësisë ndërkombëtare dhe një pozitë pasive e faktorit vendës sa i përket këtij integrimi”.

“Unë mendoj se gjasat janë të mira, megjithatë ka nevojë për shumë punë dhe kjo punë duhet koordinuar në dy nivele, sundimi i ligjit, investimet e pastaj zgjedhjet”,
thekson Gashi.

Për integrimin e pjesës veriore, e cila është jashtë kontrollit të Prishtinës tash 11 vjet, janë bërë plane edhe më parë, edhe nga administrata e OKB-së.

Por, sipas Arben Qirezit, përveç pengesës kryesore - politikës së Beogradit ndaj Kosovës, ka munguar vendosmëria e komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur problemin.

Ndërsa tash, Qirezi thotë se parasheh sfida më të mëdha, meqë, sipas tij, veriu nuk është më vetëm problem lokal.

“Mendoj se institucionet e Kosovës; cilado qeveri që të jetë, do të dëshironte që çështja e veriut të Kosovës të zgjidhej. Mendoj se këtu deri diku mungon edhe vendosmëria e bashkësisë ndërkombëtare, që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së veriut”.

“Çështja e veriut, fatkeqësisht apo fatmirësisht - kjo ende nuk dihet, nuk është më vetëm çështje e brendshme e Kosovës, por është një çështje ndërkombëtare. Kjo pasi që integriteti territorial i Kosovës është i referuar në disa dokumente ndërkombëtare“,
thotë Qirezi.

Në zgjedhjet e organizuara nga Serbia në veriun e Mitrovicës, pjesëmarrja e votuesve thuhet të ketë qenë rreth 27 për qind. Ky fakt shihet me shpresë nga Krenar Gashi, i cili konsideron se institucionet e Kosovës, me një plan të mirë për investime, mund t’i joshin serbët lokalë për t’u kthyer kah Prishtina.

“Kemi pasur një dalje të ulët, që në një mënyrë e delegjitimon autoritetin e Beogradit edhe një herë në Kosovë dhe tash është momenti që të krijohen së pari, kushtet ekonomike, investimet dhe të procedohet dalëngadalë me organizimin e zgjedhjeve”.

“Një ngutje për organizimin e zgjedhjeve, ku pjesëmarrja do të ishte më e vogël sesa në ato të Serbisë, do të ishte një dështim për autoritetet e Kosovës”
, vlerëson Gashi.

Në komunat në veri të Kosovës në vazhdimësi janë bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga Prishtina zyrtare. Ngjashëm ndodhi edhe me zgjedhjet e 15 nëntorit, ku pjesëmarrja në tri komunat veriore ishte tepër e ulët, dhe rrjedhimisht, nuk u krijuan qeveritë lokale.

Sikurse në veri të Mitrovicës, edhe në këto komuna, pushtetin e mbajnë strukturat e financuara nga Qeveria e Serbisë.
XS
SM
MD
LG