Ndërlidhjet


Subjektet politike shqiptare shprehen se do ta mbështesin propozimin e LSDM-së për ndryshimin e kodit zgjedhor, me të cilin bashkësitë e vogla etnike do të kishin fituar 10 vende të garantuara në Parlament, me kusht që ky propozim të mos e kërcënojë në asnjë mënyrë balancën e Parimit të Badenterit.

“Për BDI-në është i pranueshëm intervenimi i tillë në kodin zgjedhor. Duhet të angazhohen ekspertë, të cilët po ashtu do të duhej të bëjnë ndryshime në Ligjin e kodit zgjedhor, gjithashtu dhe në Kushtetutë, ashtu që deputetët e pakicave etnike që mund të gjenden në listën e partive më të mëdha maqedonase, të mos kenë të drejtë të votojnë me Badinter
”, thotë Rafiz Haliti, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherësh dhe i Parlamentit të Maqedonisë.

Ndërkaq, partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, konsideron se 10 vendet e garantuara mund të sigurohen pa e prishur parimin e Badinterit, vetëm nëse instalohet modeli zgjedhor ku Maqedonia do të jetë një njësi zgjedhore.

“Demokracia e Re konsideron se nevojitet vetëm një njësi zgjedhore që të kemi një përfaqësim të drejtë të të gjitha etniteteve në Maqedoni. Ne vlerësojmë se kjo është mënyra e vetme që mundëson përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha etniteteve. Ndryshe, me këtë propozim relativizohet fuqia politike e faktorit politik shqiptar”
, shprehet deputetja nga partia Demokracia e Re, Flora Kadriu.

Por, analisti politik, Alajdin Demiri, njëherësh ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë, vlerëson se përmes 10 vendeve të garantuara, degradohet fuqia politike e elektoratit shqiptar.

“Këta dhjetë deputetë të garantuar, fillimisht paraqesin shkelje të rëndë të funksionimit të parimit të Badinterit; së dyti paraqesin degradim të rëndë të zgjedhjeve; dhe së treti degradim të rëndë të votave të shqiptarëve, ngase të gjithë popujt tjerë do të kenë deputetë të garantuar, por jo edhe shqiptarët
”, vlerëson Alajdin Demiri.

Sipas Demirit, dy partitë politike më të mëdha maqedonase, me 10 vendet e garantuara ndërtojnë shtyllën ligjore për diskriminim e të drejtave të shqiptarëve të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit dhe mekanizmin e Parimit të Badinterit.

“Këta janë trika të partive politike maqedonase, të cilët në dukje do të lustrohen ose pasurohen me demokraci formale, ku do të theksohet se të gjitha pakicat i kanë të drejtat e tyre, e në fakt ata trajtohen si supliment i partive më të mëdha maqedonase”
, thekson Demiri.

Ndërkohë, me propozimin e LSDM-së, parashihet që turqit të kenë 4 vende të garantuara, serbët dhe romët nga dy vende, ndërsa vllahët dhe boshnjakët nga një deputet.

Deputeti i Partisë Demokratike Turke, Qenan Hasipi, konsideron se me vendet e garantuara përforcohet sistemi demokratik në vend.

“Bashkësitë etnike më të vogla në vend, me zgjedhjen e deputetëve të tyre janë të përfaqësuara nën 50 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës. Me këtë propozim shmanget diskriminimi që u bëhet me zbrazëtirat e kodit zgjedhor”
, shprehet Hasipi.

Do theksuar se ndryshimet e kodit zgjedhor, ku përfshihej garantimi i 10 vendeve për bashkësitë e vogla etnike, më 2007 i propozoi VMRO-DPMNE-ja.

Mirëpo, këto ndryshime nuk gjetën mbështetjen e BDI-së dhe LSDM-së, të cilat, për të bllokuar punën e Parlamentit, parashtruan rreth 2 mijë amendamente, megjithatë VMRO-DPMNE-ja ka theksuar se do t`i përkrahë ndryshimet e kodit zgjedhor, nëse për to arrihet konsensus në Parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG