Ndërlidhjet

KB: Sanksione të reja kundër Iranit

  • RFE /RL

Nju Jork, nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku u vendos për sanksione të reja kundër Iranit

Nju Jork, nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku u vendos për sanksione të reja kundër Iranit


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi raundin e katërt të sanksioneve kundër Iranit, lidhur me programin bërthamor të tij.

Fuqitë perëndimore dyshojnë se aktivitetet bërthamore të Iranit kanë për qëllim zhvillimin e armëve bërthamore.

Pro rezolutës votuan 12 vende. Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania, që të gjitha votuan në favor të sanksioneve. Turqia dhe Brazili votuan kundër, përderisa Libani abstenoi.

Menjëherë pas votimit, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Suzan Rajs, iu drejtua këshillit, duke thënë se ai "i është përgjigjur me vendosmëri kërcënimit ndaj paqes dhe sigurisë në botë të shkaktuar nga dështimi i Iranit që t’i përmbushë obligimet e tij në bazë të Marrëveshjes për Mospërhapjen e armëve bërthamore”.

“Ne jemi në këtë pikë për shkak se Qeveria e Iranit e ka zgjedhur qartë që me vullnetin e vet t’i shkelë përkushtimet ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe ndaj rezolutave të këtij këshilli”.

“Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe të shumta nga komuniteti ndërkombëtar, Irani nuk e ka pezulluar pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet tjera të proliferimit”
, tha Rajs.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Mark Lajëll Grant, tha se qëllimi i rezolutës është riafirmimi i përkushtimit të Këshillit të Sigurimit për një zgjidhje të shpejtë, e të negocuar të çështjes bërthamore të Iranit.

“Synimi i përpjekjeve tona është që të arrijmë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate, e cila do ta rivendoste besimin ndërkombëtar në natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit, duke respektuar të drejtat legjitime të Iranit për përdorim paqësor të energjisë bërthamore”,
theksoi Grant.

Brazili, i cili votoi kundër rezolutës, bashkë me Turqinë ishte ndërmjetësues i marrëveshjes për këmbimin e uraniumit të pasuruar për karburant bërthamor, e cila u nënshkrua në Teheran.

Qëndrimin brazilian e sqaroi ambasadorja Maria Luiza Ribeiro Vioti.

“Brazili do të votojë kundër draft-rezolutës. Duke vepruar kështu, ne e nderojmë qëllimin, i cili na frymëzoi në përpjekjet që rezultuan me Deklaratën e Teheranit të 17 majit. Ne do të veprojmë kështu, sepse nuk shohim se sanksionet janë instrument efektiv në këtë rast”
, tha Vioti, ambasadore e Brazilit në OKB.

Kundërshtimin ndaj sanksioneve e shprehu edhe ambasadori i Turqisë në Kombet e Bashkuara, Erturull Apakan.

“Sanksionet me siguri do të çojnë në vuajtje më të mëdha të popullit të Iranit dhe do të shfrytëzohen nga ato palë që nuk duan të mbisundojë dialogu. Përvojat e fundit në Kombet e Bashkuara, si rasti me Irakun, tregojnë se spiralja e kërcënimit me sanksione dhe izolim mund të rezultojë me pasoja tragjike”,
u shpreh ambasadori turk, Apakan.

Rezoluta përmban kufizime të rrepta kundër aktiviteteve bërthamore të Iranit, përfshirë autorizimin e të gjitha shteteve që t’i sekuestrojnë të gjitha dërgesat e dyshuara me anije dhe të ndalin eksportin e helikopterëve dhe tankeve në Iran.

Të martën, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, tha se Teherani do të refuzojë çfarëdo bisedime të mëtejme për programin bërthamor, nëse miratohej rezoluta në Këshillin e Sigurimit.(v.p.)
XS
SM
MD
LG