Ndërlidhjet

logo-print

Reagime të përziera lidhur me sanksionet ndaj Iranit


Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se sanksionet “më të ashpra deri tash” të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, dërgojnë “mesazh të pagabueshëm”.

Këto komente ai i bëri mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pas vendimit në Këshillin e Sigurimit.

“Këto janë sanksionet më gjithëpërfshirëse, me të cilat është ballafaquar qeveria e Iranit. Ato do të imponojnë kufiizime në aktivitetet atomike të Iranit, në programet e tij të raketave balistike dhe për të parën herë, në ushtrinë e tij konvencionale. Do të vendosin një kornizë të re për ta ndalur kontrabandimin iranian dhe për t’i goditur bankat iraniane dhe transakcionet financiare”, tha Barak Obama.

Presidenti amerikan, poashtu, tha se “sanksionet nuk e mbyllin derën e diplomacisë dhe Irani vazhdon të ketë mundësi ta marrë një rrugë tjetër dhe më të mirë”.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, poashtu, tha se rezoluta e Këshillit të Sigurimit e OKB-së, “e mbanë të hapur derën për angazhim të vazhdueshëm”, ndërmjet fuqive ndërkombëtare dhe Iranit.

Ministria e jashtme e Izraelit vlerësoi se rezoluta është “një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm” dhe se duhet ndërmarrë më tepër aksione.

Nga ana tjetër, Ministria e jashtme e Turqisë ka shprehur shqetësim se sanksionet më të reja kundër Iranit do t’i dëmtojnë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e kontestit lidhur me programin e dyshuar atoimk të Iranit.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, vlerësoi se sanksionet janë “mbeturina”.
XS
SM
MD
LG