Ndërlidhjet

logo-print

Mitrovicë: Pesë shqiptarë të lënduar rëndë nga sulmi i serbëve


Pesë shqiptarë, të moshës prej 16 e deri n; 20 vjeçare, janë lënduar rëndë nga një sulm fizik i një grupi prej së paku gjashtë personash në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës.

Besim Hoti, zëdhënës i Policise se Kosovës për rajonin e Mitrovicës, tha se rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 20, ndërsa sipas tij, policia ka reaguar në vendngjarje pasi ka pranuar informatën lidhur me rastin.

Hoti tha së paku një prej të lënduarve është transferuar në spitalin në Prishtinë për kontroll të detajuar mjekësor.

Në bazë të informatave të para të pranuara nga dëshmitarët e mundshëm lidhur me rastin, besohet se grupi i sulmuesve, që ishte i përkatësisë etnike serbe, i ka sulmuar viktimat me mjete të forta, përfshirë shufra metalike dhe sopatë.

Njësitë e përbashkëta policore të Kosovës dhe të EULEX-it, kanë qëndruar gjatë natës në këtë lagje për të parandaluar ndonjë incident të mundur.

Pesë persona të dyshuar, të gjithë të përkatësisë etnike serbe, të moshës prej 17 deri 22 vjeçare, janë identifikuar dhe arrestuar lidhur me rastin ndërsa të njëjtit janë liruar pas deklaratave të dhëna në polici me vendim të prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it. Rrethanat e këtij rasti me motiv të urrejtjes ndëretnike, janë duke u hetuar nga hetuesit policorë të sektorit për krime të rënda në drejtorinë rajonale në Mitrovicë.
XS
SM
MD
LG