Ndërlidhjet

WP: Më tepër sanksione për Iranin


Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjatë votimit për raundin e katërt të sanksioneve kundër Iranit, 09 qershor 2010.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjatë votimit për raundin e katërt të sanksioneve kundër Iranit, 09 qershor 2010.
"Washington Post"

Miratimi i sanksioneve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, para së gjithash ishte një e arritur diplomatike e administratës Obama.

Presidenti dhe ndihmësit e tij ia dolën t’i kapërcejnë rezistencat, fillimisht të ashpra nga Rusia dhe Kina, për sanksione shtesë, duke i mënjanuar përpjekjet e minutës së fundit nga Irani, për shmangien e rezolutës nëpërmjet marrëveshjes me Brazilin dhe Turqinë.

Megjithëqë kjo kthesë ishte larg për të qenë unike, meqë administrata Bush ia doli të sigurojë miratimin e pesë rezolutave për Iranin në Këshillin e Sigurimit, përfshirë edhe tri me sanksione, administrata Obama demonstroi efektivitet në ndërtimin e koalicionit për rritjen e presionit ndaj Iranit.

Pyetja mbetet se a do të jetë presioni mjaft i fuqishëm për të ndikuar në regjimin, që të mendojë edhe një herë për zhvillimin e armatimit bërthamor? Me fjalë të tjera, a do të jetë fitorja e administratës më tepër se vetëm diplomatike?

Në këtë pikë ka arsye për dyshim. Megjithëqë presidenti Obama, me të drejtë, thotë se sanksionet e reja janë më të ashprat, që ndonjëherë janë ndërmarrë ndaj Iranit, ato dështuan që të miratohen në formën e tyre origjinale.

Dyzet kompani iraniane janë marrë në shënjestër, që është dyfish më tepër se më parë, por asnjëra nuk është në sektorin energjetik.

Stacioni bërthamor i ndërtuar nga Rusia do të vazhdojë të lëvizë përpara, ashtu sikur edhe investimet e reja masive kineze në fushat e naftës dhe në rafineritë.

Shitja e armatimit të rëndë në Iran është ndaluar, por jo edhe sistemi i avancuar i mbrojtjes raketore, që Rusia ka premtuar se do ta vendosë.

Administrata shpreson se terminologjia e gjerë dhe ndonjëherë e paqartë në rezolutën për energji, sigurim dhe transakcione financiare, do të ndikojë në Bashkimin Evropian dhe në qeveritë e tjera mike, për të miratuar masa më të ashpra.

Por, a do të mjaftojë kjo për ta detyruar Iranin që ta pranojë ngrirjen e pasurimit të uraniumit, të cilën e ka rezistuar për katër vjet, ose bile për t’u pajtuar për negociata serioze?

“Ne e dimë se Qeveria e Iranit nuk do ta ndryshojë sjelljen e saj brenda natës”, tha zoti Obama në Shtëpinë e Bardhë. Njëherësh, progresi i saj i qëndrueshëm drejt ndërtimit të armatimit, me gjasë do të vazhdojë.

Regjimi i Ahjatollah Ali Hamneit kategorikisht i ka hedhur poshtë ofertat e presidentit Obama për “angazhim”. Ka shumë gjasa që ai njësoj do t’i refuzojë këto sanksione.

Është inkurajuese që zoti Obama foli për përvjetorin e zgjedhjeve mashtruese presidenciale të vitit të kaluar dhe se si regjimi “në mënyrë brutale i shtypi ata që mendojnë ndryshe dhe i vrau të pafajshmit”, pas zgjedhjeve.

Megjithëqë ishte detyruar të largohet nga rrugët, Lëvizja e të Gjelbërve duket se ka gjasa më të mira për detyrimin e ndryshimeve domethënëse në Iran, sesa sanksionet e miratuara.

Administrata Obama do të bënte mirë që t’i kushtonte sa më tepër kujdes strategjisë për mbështejten e opozitës, ashtu siç veproi me mbledhjen e votave në Kombet e Bashkuara. (f.b.)
XS
SM
MD
LG