Ndërlidhjet

Mesi: Nuk mund të krahasohem me Maradonën


Lionel Mesi
Lionel Mesi

I pyetur se a i pëlqen kur krahasohet me Maradonën, futbollisti argjentinas, Lionel Messi, tha se “edhe sikur të luaja një milion vjet, atij nuk mund t’i afrohem. Për mua ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, me të nuk mund të krahasohem”.



Megjithatë, krahasimi i këtillë bëhet shpesh, sepse keni pasur një sezon të jashtëzakonshëm?

Lionel Mesi
Megjithatë, do të thosha se sezoni i kaluar ishte më i mirë. Me Barcelonën i kemi fituar të gjitha, çka është mundur të fitohet. Unë nuk kam dëshirë ta ndaj suksesin personal dhe titujt me klubin. Po, kam dhënë shumë gola, e kam fituar Topin dhe Këpucën e Artë.

Në ligën spanjolle i keni dhënë 34 gola. A keni luajtur ndonjëherë futboll më mirë se tash?

Lionel Mesi
Duhet ta keni parasysh se vjet isha pjesë e një ekipi shumë të mirë, i cili vetëm gjatë një viti arriti t’i fitojë gjashtë tituj të njohur. Kjo për mua është rezultat tejet i mirë.

Kësaj radhe nuk u plasuat për finale të Ligës së Kampionëve, pasi ju eliminoi Interi. A ishte kjo e dhembshme?

Lionel Mesi
Ishte dëshpërim i jashtëzakonshëm. Dukej se ishim më të mirë në të dyja takimet, por Interi ia doli ta shkatërrojë lojën tonë, ta përçajë atë dhe nuk na lejoi ta zhvillojmë ritmin tonë. Mua personalisht më ka zhgënjyer edhe loja ime...nuk më eci dhe largimin tonë e marr si barrë për mua.

T’i kthehemi edhe një herë trajnerit të Argjentinës, Diego Maradona, i cili si kapiten i ekipit ia solli Argjentinës titullin e fundit. Çka do të thotë ai për ju?

Lionel Mesi
Gjithmonë për mua ka qenë shembull. E kupton futbollin dhe është me të vërtetë i mençur. Është e vërtetë se në jetë i ka bërë disa gjëra, me të cilat sigurisht se nuk është krenar dhe na e tërheq vërejtjen që të mos i përsërisim gabimet e tij. Por, për mua mbetet njeri shembullor. Diego lufton për atë që beson. Ne të gjithë në ekip e marrim ashtu siç është dhe e respektojmë. Është trajner shumë i mirë. Arrin t’i motivojë lojëtarët, prandaj të gjithë do të luftojmë për të dhe për Argjentinën.

Por, a ju pëlqen kur ju krahasojnë me të?

Lionel Mesi
Secili futbollist i Argjentinës e di se në ndonjë pikë të karrierës mund të krahasohet me Maradonën. Në Brazil këtë e bëjnë me Pelen, në Francë me Zidanin. Njerëzit, thjesht, me dëshirë i krahasojnë heronjtë e së kaluarës me ata të tashmit. Megjithatë, do të doja që njerëzit të më mbajnë mend si Leo Mesin e jo si dikë tjetër.

A shpresoni se do të shkëlqeni në fanalen e Argjentinës?

Lionel Mesi
Shpresoj se do t’i ndihmoj skuadrës. Ky do të jetë kampionati im i dytë. Para atij të parit, dy muaj jam munduar me një lëndim, kështu që gjatë kampionantit mjaft kohë kam kaluar në bankën e rezervistëve. Kësaj radhe shpresoj se më tepër do të jem pjesë e ekipit. Do të bëj çmos që ta fitojmë titullin. Këtë mund t’ua premtoj të gjithëve në Argjentinë.
XS
SM
MD
LG