Ndërlidhjet

Pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi (?)


Prishtinë
Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një fjalim para Parlamentit, se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, po i vjen fundi. Sipas Thaçit, Kosova ka kapacitete të plota t’i zbatojë standardet e nevojshme për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërkaq, deputetë opozitarë vlerësuan se deklarata të tilla nuk kanë të bëjnë me realitetin ekzistues.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten në një fjalim para Parlamentit se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, po i vjen fundit. Ai tha se shteti i Kosova ka ngritur dhe po ndërton kapacitete të mjaftueshme për t’iu bashkuar familjes së integruar evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Deklarimet e tilla të kryeministrit kosovar u cilësuan si qesharake nga tabori opozitar në Kuvend. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi tha se Kosova ka kapacitete të plota t’i zbatojë standardet e nevojshme për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, siç parashihet me planin e presidentit Ahtisari, po i vjen fundi dhe sfidat tona në të ardhmen do të jenë sfida drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Sot, Kosova ka ndërtuar kapacitete të plota në kuptimin politik, legjislativ, por edhe ekonomik, të përballet me zbatimin e suksesshëm të kritereve demokratike në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të veta”
, tha Thaçi.


Deklarata e tillë e kryeministrit Thaçi, për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci ishte një tallje me Parlamentin.

Daci rikujtoi se Bashkimi Evropian pikërisht këtë javë i zgjati mandatin EULEX-it edhe për dy vjet, në kohën kur Thaçi beson se mbikëqyrjes ndërkombëtare po i vjen fundi.

“Ishte atraktiv dhe ishte mirë që na bëri të qeshim në Parlament dhe mendoj se ajo që binte në sy shumë - që po vjen koha e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, ishte në s’përputhje 100 për qind me Brukselin, i cili ia vazhdoi edhe për dy vjet mandatin EULEX-it”,
theksoi Daci.

Ndërkohë, edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, tha se Kosova nuk e ka arritur atë performancë në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore, e cila pretendohet në fjalimin e kryeministrit.

"Fjalimet e liderëve janë ngapak populiste, nuk përkojnë gjithmonë me realitetin, kanë një dozë diskrepance mes realitetit dhe asaj që pretendohet. Mendoj që ishte një fjalim inkurajues, që po të pretendohet të bëhet realitet, do të ishte mrekulli për Kosovën”.


“Por, kapacitetet dhe energjitë ekzistuese nuk i shoh se janë të mobilizuara për të arritur atë performancë të shtetit të Kosovës që kryeministri e pretendoi me fjalimin e tij”,
tha Gashi.

Mospajtimet e opozitës me deklaratat e kryeministrit vazhduan edhe te tema aktualisht numër një në politikën dhe mediat kosovare, që ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Thaçi tha se krimi dhe korrupsioni kanë shumë adresa në Kosovë, por u zotua se askush nuk do të mbetet pa u përballur me ligjin.

“Siguroj edhe sot se nuk do të lejohet as edhe një lloj korrupsioni, keqpërdorimi apo krimi i organizuar. Unë dhe Qeveria që e udhëheq, e kemi thyer heshtjen 10-vjeçare, apo mbulimin e korrupsionin dhe krimit të organizuar. Dhe, kjo betejë nuk e ka një adresë, ka shumë adresa, por jam i bindur dhe i sigurt se edhe këtë betejë do ta fitojmë”,
theksoi Thaçi.

Edhe kjo deklaratë e Thaçit, sipas deputetit opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ishte në kuadër të serisë së deklarimeve të tij publike që janë në s’përputhje me realitetin ekzistues në Kosovë.

“Befasia më e madhe është se nuk e kanë kuptuar se nuk shkon më kështu; se askush nuk iu beson, madje as njerëzit e tyre nuk iu besojnë më. Realisht, sot ka qenë edhe një befasi, si nuk e ka marrë vesh ky njeri se askush nuk po i zë besë, vetëm ai mund ta dijë se çka ka menduar me këto fjalë. Nuk besoj se ka njeri tjetër në Kosovë se është krejt ndryshe prej krejt asaj që po e thotë kryeministri”,
tha Gjini.

Ndryshe, deklarimet e tij se Kosova do ta fitojë betejën në luftë kundër dukurive negative, kryeministri Thaçi i ka bërë edhe përmes një paraqitjeje publike për opinionin.

Ai ka deklaruar se që nga vitit 1999 e këndej, janë 111 raste që po hetohen nën dyshimet se kanë të bëjnë me veprime të ndryshme kriminale, duke inkurajuar organet kompetente që të merren me hetime deri në ndriçimin e secilit rast.
XS
SM
MD
LG