Ndërlidhjet

Hetimet në veri, të vonuara


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjyqtarë kosovarë i konsiderojnë të vonuara hetimet në veri, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa, politikanë serbë të Kosovës kërkojnë hetime për investimet e Serbisë dhe të Kosovës, të dhëna për komunitetin serb.


Hetimet e mundshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në veri, të paralajmëruara nga ana e misionit evropian, për kryetarin e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Kapllan Baruti, janë të vonuara.

Vetë kjo Gjykatë ka të grumbulluara një sërë lëndësh të natyrave të ndryshme, përfshirë krimet ekonomike dhe ato penale.

Kryetari i kësaj gjykate, Kapllan Baruti, i cili për më shumë se dy vjet, ka kryer punën nga objekti i përkohshëm në Vushtrri, thotë se institucionet e rendit është dashur shumë më herët të veprojnë, për të kthyer sundimin e ligjit në veri.

“Për veriun e Kosovës, pavarësisht nga situata në jug, është dashur të fillohet më herët me këtë aktivitet. Megjithatë, unë konsideroj se paralelisht duhet të angazhohen apo të krijohen kushte adekuate për rifunksionimin e organeve të judikaturës, po mendoj në organet lokale apo vendore edhe në pjesën veriore, sepse pa aktivitetin e këtyre organeve konsideroj se efikasiteti dhe suksesi i tyre do të jetë i mangët”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, z Baruti.

Kur përshkruhet gjendja në veri, shumë raporte thonë se atje krimi nuk njeh kufi. Jashtë kontrollit të Prishtinës dhe mekanizmave ndërkombëtarë, në veri dyshohet se kryhen veprime të ndryshme kriminele, që mbesin të pandëshkuara.

Politikani serb i Kosovës, Rangjel Nojkiq, shpreh mendimin se në veri, por edhe në pjesë tjera të Kosovës, krimi mund të quhet multi-etnik, pasi, sipas tij, në këtë aktivitet ka bashkëpunim të mirë shqiptaro-serb.

“Unë mendoj se EULEX-i duhet të hetojë në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa kur është fjala për korrupsionin, këtu nuk ka kurrfarë kufiri, nuk ka kurrfarë dallimi, as etnik, as nacionale apo dallim tjetër”.

“Para së gjithash, duhet të hetohen të gjitha investimet e deritashme, normalisht edhe në veri, duke marrë parasysh se është folur shumë për financimet e dyfishta, financime për të njëjtin projekt edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga buxheti i Serbisë”
, shprehet Nojkiq.

Edhe drejtësia serbe kohë më parë ka nisur të hetojë për keqpërdorime udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Si pasojë, edhe u ndërrua udhëheqësia.

Ndërkohë, përveç dyshimeve për krime ekonomike, në veri kanë mbetur pa u ndëshkuar edhe ata që kanë kryer vepra të rënda penale, siç ishte vrasja e policit ukrainas në trazirat e marsit të 2008-ës.

Kryegjykatësi i Mitrovicës, Kapllan Baruti, thotë se deri tash nuk ka pasur vullnet politik për t'i hetuar krimet e të gjitha natyrave.

Është dashur shumë më herët të fillohet me to, ne gjithmonë kemi insistuar në këtë kërkesë tonën, mirëpo për fat të keq politika nuk e ka aprovuar, kështu që tash duket se ekziston një vullnet i tillë nga ana e politikanëve relevantë edhe besoj që tash kjo ka për të qenë më serioze dhe do të bëhet diçka në këtë drejtim”, tha Baruti.

Besim në organet e drejtësisë së misionit evropian ka edhe Rangjel Nojkiq.

“Ata mund ta luftojnë, vetëm nëse kanë dëshirë. Deri tash e kanë treguar në disa raste, se nëse EULEX-i fillon, ai mund të hyjë në të gjitha poret”
, thekson Nojkiq, duke insistuar se duhet hetuar financimet e dyfishta që janë bërë për të njëjtin projekt, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi.

“Absolutisht, janë hapur shumë dyer për kriminelë, që këto vepra penale të zbulohen. Ky është shans i shkëlqyer që EULEX-i, të hetojë të gjitha investimet që Serbia ka dhënë për Kosovën, respektivisht që të shohë se sa para janë dhënë për këto projekte nga buxheti i konsoliduar i Kosovës”.


“Në këtë rast, nuk mendoj se është vështirë që të vërtetohet nëse kemi pasur të bëjmë me krime dhe unë them se kriminelet janë ende të pranishëm”,
përfundon Nojkiq.
XS
SM
MD
LG