Ndërlidhjet

"Ka një vullnet për ta integruar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në BE”, tha në një ligjëratë të hapur para studentëve kosovarë, shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi.


Ndonëse Kosova do të jetë e obliguar të përmbushë një varg kushtesh teknike në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, çështjet e natyrës politike do të jenë pjesë e temave, të cilat duhet t’i zgjidhë Prishtina zyrtare dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, thonë autoritetet evropiane në Kosovë.

Pjesë e sfidave që ka Kosova karshi përmbushjes së agjendës evropiane, është dhe bashkëpunimi rajonal, proces që thuhet se vështirësohet nga mosnjohja e pavarësisë së vendit nga Serbia.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, tha se për të lehtësuar zgjidhjen e problemeve ndërmjet vendeve të rajonit, Bashkimi Evropian mund ta marrë rolin e ndërmjetësuesit.

Vënia e kushteve ndaj shtetit serb lidhur me Kosovën, sipas diplomatit italian, megjithatë nuk do të ishte zgjidhja e duhur.

“Nuk mendoj se mund të hyhet në një çështje të imponimit të kushteve për një shtet të vetëm, sepse do të hapej një problem tjetër në një fazë tjetër”.

“Dikush tjetër do të pyeste se përse nuk i vëni kushte Kosovës për këtë arsye, apo pse nuk i vëni kushte Shqipërisë për një tjetër çështje. Mendoj se do të hynim në një mekanizëm që vështirë mund të menaxhohej”
, tha Davidi në një ligjëratë të hapur para studentëve të një universiteti në afërsi të Prishtinës.

Synimi i vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sipas Davidit, sfidohet në një masë edhe nga reputacioni që ka Ballkani Perëndimor në shtetet e ndryshme të BE-së, të cilat, siç tha ai, i perceptojnë shtetet rajonale si vende me një shkallë të lartë të krimit të organizuar, korrupsionit dhe si shtete të brishta.

Sidoqoftë, Davidi shprehu bindjen se përfshirja e Kosovës dhe e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian është politikë, siç e quajti ai, aktive e Brukselit.

“Natyrisht se ka një vullnet për ta integruar Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Bashkimin Evropian”,
u shpreh Davidi.

Kreu i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë tha se që nga zgjerimi i Bashkimit Evropian në vitin 2007, me anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë, dhe me përvojën evropiane lidhur me shkallën ende ekzistuese të korrupsionit në këto dy vende, BE-ja po e analizon më në hollësi këtë fushë te vendet që aspirojnë të anëtarësohen në këtë mekanizëm.

Hetimet mbi korrupsion që misioni EULEX po i vazhdon në Kosovë, sipas Davidit, janë cilësuar si pozitive në shumicën e vendeve evropiane.

Mirëpo, punën kryesore në zvogëlimin e shkallës së korrupsionit në Kosovë, siç theksoi ai, duhet ta kenë institucionet vendore. Përndryshe, nuk mund të përjashtohet ngadalësimi i dinamikës së integrimit evropian për Kosovën.

“Nëse ky është një problem shumë i përhapur dhe tani po bëhet e ditur se është më shumë i përhapur sesa që ishte menduar disa muaj më parë, atëherë kjo natyrisht se dërgon një sinjal negativ”,
theksoi Davidi.

Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Evropian pritet ta publikojë raportin e ardhshëm të progresit për Kosovën, ku do të identifikohen ngecjet në 2010-ën dhe sfidat për vitin 2011.

Në raportin e vitit të kaluar, në radhët e shqetësimeve më të mëdha që BE-ja kishte lidhur me Kosovën, ishin sundimi i ligjit dhe çështjet që ndërlidhen me të.
XS
SM
MD
LG