Ndërlidhjet

“Ethet” e futbollit pushtojnë botën...

  • RFE /RL

“Ethet” e futbollit kanë filluar të përfshijnë shumë pjesë të botës dhe veçanërisht Afrikën e Jugut, ku, të premten, në orën 16, me takimin Afrika e Jugut – Meksika, hapet kampionati botëror në futboll.

Është Botërori i parë që mbahet në Afrikë. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, tha se Botërori 2010 do të sjellë gëzim për Afrikën e Jugut dhe gjithë botën.

“Unë flas për shpresën, por çfarë do t’i sjellë Kupa Botërore botës? Emocione! Emocione për miliarda njerëz. Ata do të kenë emocione përmes futbollit që do të luhet në Afrikë. Afrika duhet të mburret, sepse ajo do të dijë të organizojë njërën nga ngjarjet më të mëdha të botës”, tha Blater.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Jakob Zuma, mirëpriti Kupën Botërore si moment historik në historinë e vendit, ku futbolli për herë të parë është luajtur para 150 vjetësh.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë të zhvillimit të futbollit nga koha kur, më 23 gusht të vitit 1862, është luajtur ndeshja e parë, pikërisht aty ku tash është stadiumi Kejp Taun”,
tha Jakob Zuma.

Nga 32 kombëtaret, sa marrin pjesë në Botërorin 2010, Brazili dhe Spanja konsiderohen favoritë, ndonëse nuk duhet harruar as Argjentinën, Gjermaninë, Holandën, Anglinë dhe Italinë.
32 kombëtaret janë të ndara në 8 grupe. Për fazën tjetër kualifikohen vetëm dy më të mirat nga secili grup, pra gjithsejtë 16 kombëtare.

Është interesant të theksohet se afrikano-jugorët, tash sa ditë, janë duke festuar thuajse kombëtarja e tyre ka fituar titullin e kampionit. Dhjetëra mijëra veta tash sa ditë kremtojnë rrugëve të Johanesburgut.

Ndërkohë, dhjetëra-mijëra adhurues të futbollit nga e gjithë bota kanë arritur në Afrikën e Jugut. Takimin e hapjes së Botërorit pritet ta shohin rreth 90 mijë veta dhe qindra miliona shikues përmes televizionit.

Të pranishëm në takimin e hapjes do të jenë shumë personalitete botërore dhe në mesin e tyre edhe presidenti i parë më ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.

Lajmi për pjesëmarrjen e Mandeles në ceremoninë e hapjes ka gëzuar pa masë banorët e këtij vendi.

Takimi final i Botërorit 2010 zhvillohet më 11 korrik në orën 20:30.
XS
SM
MD
LG