Ndërlidhjet

Guardian: “Drejtësia për viktimat është e vërteta”


Bosnjë - Qendra përkujtimore Potoçari

Bosnjë - Qendra përkujtimore Potoçari

“Guardian”

Dy dënimet me burg të përjetshëm, që iu shqiptuan oficerëve serbë të Bosnjës, Vujadin Popoviqit dhe Lubisha Bearas, janë dënimet më të rënda që janë shqiptuar ndonjëherë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi.

Dy burrat u dënuan për gjenocid, respektivisht për masakrën e afro 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995. Që të dy shërbenin nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, i cili ende është në arrati.

Masakra ndodhi në kohën kur president ishte Radovan Karaxhiqi, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë, gjithashtu nën akuzat për gjenocid.

Ishte ai, i cili e udhëzoi Mlladiqin që të krijojë një “gjendje të padurueshme të pasigurisë totale, pa asnjë shpresë për mbijetesë të mëtejme” për popullatën e Srebrenicës.

Hagë: Vujadin Popoviq dhe Lubisha Beara
Rastet e Popoviqit dhe Bearas janë padyshim dënime të rëndësishme, që mund të kenë ndikim në gjykimin e Karaxhiqit.

Sidoqoftë, reagimet e familjarëve të viktimave ndaj verdiktit të gjykatës na japin idenë se çfarë janë në të vërtetë këto gjykime të kriminelëve të luftës.

Një grua nga Srebrenica, që kishte humbur dy djemtë, burrin dhe vëllanë, tha: “Çfarëdo dënimi që t’i jepet, nuk mjafton”.

Reagimi i saj ishte tipik dhe i kuptueshëm, sepse asnjë dënim nuk do të mund t’i kthejë prapë në jetë anëtarët e vrarë të familjes së saj dhe asnjë ndëshkim nuk mund të jetë kompenzim për marrjen e një jete, e ku më të mijëra jetëve.

Familjarët e viktimave reaguan me hidhërim, por kush mund t’ua vë fajin? Ndoshta kjo grua mund të gjejë ngushëllim jo në vënien në jetë të drejtësisë, por në faktin se ajo u zbulua nga gjykimet e tilla në Tribunalin e Hagës.

Vetëm këtë pranverë, 15 vjet më pas, Parlamenti i Serbisë miratoi një deklaratë për Srebrenicën, duke shprehur keqardhje. Duke shmangur fjalën gjenocid, ky ishte një hap drejt njohjes së faktit historik të tmerrit, megjithëse, deri një vit më parë, masakra e Srebrenicës dhe ndërlidhja e ushtrisë serbe nuk ishin të njohura zyrtarisht.

Ky është rezultati i gjykimeve të Tribunalit: nuk është e mundur më që serbët të jetojnë në gjendje mohimi. Rëndësia historike e Tribunalit të Hagës nuk është vetëm vendosja e drejtësisë, por shumë më tepër, të dëshmojë të vërtetën për luftërat në Ballkan.

Pa të vërtetën, nuk mund të ketë drejtësi. Dhe, drejtësia për të vdekurit do të vijë në vend vetëm kur e vërteta të mos mund të mohohet më. (v.p.)
XS
SM
MD
LG