Ndërlidhjet

MPB-ja serbe në veri rrezikon sigurinë


Mitrovica
Mitrovica

Strukturat paralele të sigurisë në veri kanë për qëllim të shkaktojnë dhunë dhe pasiguri, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës, një ditë pasi kapën dokumentet e një personi të këtyre strukturave në veri të Mitrovicës.


Policia e Kosovës thotë se prania e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë, shkakton tensione dhe dhunë.

Një ditë më parë, zyrtarë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kanë hasur në një pjesëtar të tillë, të cilit, gjatë ikjes nga policia, i kanë rënë dokumentet, që, sipas zëdhënësit të Policisë, Besim Hoti, dëshmojnë se ai i përket MPB-së serbe.

“Është vërejtur distinktivi i tij, i policisë, i organeve të MPB-së nga Serbia dhe një librezë e anëtarësisë si anëtar i partisë politike ‘Srpska Radikalna Stranka’”.

“Policia e ka marrë këtë dokumentacion, i ka njoftuar autoritetet, ndërsa besoj se në këtë aspekt edhe Zyra Ndërlidhëse e EULEX-it, do të informohet shpejt, me qëllim që të kërkojë informacione shtesë nga organet përgjegjëse në Beograd
”, thotë Hoti.

Ky person i ka ikur Policisë, në lagjen Kodra e Minatorëve, lagje ku dy ditë më parë pesë shqiptarë të moshës nga 16 deri 20-vjeçare u lënduan nga një sulm fizik i një grupi prej, së paku, gjashtë personash, për të cilët policia tha se ishin serbë.

Banorët e lagjes thonë se sulmuesit nuk ishin banorë të Kodrës së Minatorëve. Ndryshe, për praninë e pjesëtarëve të MPB-së serbe në Kosovë është folur shumë.

Përderisa autoritetet e rendit nuk kanë ndonjë shifër zyrtare të numrit të tyre, drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, është shprehur se mund të jenë mbi 300 persona të tillë.

“Ekzistojnë 300 më së shumti 350 pjesëtarë të paguar nga Beogradi, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të Agjencisë Inteligjente të Serbisë, si dhe të xhandarmërisë së Serbisë”.

“Ata nuk duhet të jenë në Kosovë, e as që është dashur të jenë, as me marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Beogradit, Marrëveshjen e Kumanovës, por nuk ka pasur një presion të fortë nga ana e Qeverisë sonë që të ketë një ballafaqim me ta”,
tha kohë më parë Deda.

Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se nuk kanë informacione për numrin e këtyre pjesëtarëve.

“Me shifra nuk kemi informacion, por njerëz të armatosur sigurisht se ka në të gjitha anët, përfshirë edhe veriun, por jo domosdoshmërisht ata janë anëtarë të strukturave paralele të MUP-it të Serbisë”.


“Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk ka vërejtur ndonjë rol administrativ të strukturave paralele të MPU-it këtu. Qëllimi kryesor tashmë është i njohur publikisht, mbledhja e informacionit dhe plasimi i tyre kudo qoftë dhe, normalisht, shkaktimi i pasigurisë dhe dhunës, ky është qëllimi kryesor i tyre”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, udhëheqës të komunës së Mitrovicës, kërkojnë nga autoritetet e rendit që ta spastrojnë veriun nga pjesëtarë të tillë.

Nënkryetari i Mitrovicës, Riza Haziri, thotë se edhe pa praninë e strukturave paralele të sigurisë, situata është tepër e ndjeshme në qytetin, të cilin ura e Ibrit e ndan në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

“Këto struktura , këta njerëz duhet penguar; duhet penguar lëvizja e tyre nga organet kompetente, dhe për momentin është Policia e EULEX-it, ajo e Kosovës dhe KFOR-i”
, shprehet Haziri.

Në pjesën veriore ka përqendrim të madh të strukturave paralele serbe administrative. Por, analistët thonë se rreziku më i madh vjen nga prania e strukturave paralele të sigurisë, pjesëtarë të të cilave thuhet se lëvizin të armatosur.

Veriu është jashtë kontrollit të Prishtinës tash 11 vjet. Ndërkohë, strategjia e Qeverisë për integrimin e kësaj pjese, ende nuk ka filluar së zbatuari.
XS
SM
MD
LG