Ndërlidhjet

Kosova e pavarur e stabile, interes për SHBA-të


“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për prosperitetin dhe paqen e Kosovës së pavarur, si një shtet që do të jetë shtëpi e të gjitha komuniteteve dhe që do të jetojë në paqe me të gjitha vendet fqinje”, tha në Prishtinë, ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e zbatimit të Ligjit për narkotikë në nivel ndërkombëtar, Dejvid Xhonson. Gjatë kësaj vizite, ai u prit nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.


Kosova e pavarur dhe stabile është interes, jo vetëm i popullit të saj, por edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaroi të premten në Prishtinë, ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e zbatimit të Ligjit për narkotikë në nivel ndërkombëtar, Dejvid Xhonson.

Këto komente, zyrtari amerikan i bëri pas një takimi që zhvilloi me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe zyrtarë të tjerë nga Qeveria e Kosovës.

Xhonson tha se funksionimi i institucioneve demokratike, vendosja e sundimit të ligjit, luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikimeve të ndryshme, do t’i hapte rrugën Kosovës drejt integrimit të saj në strukturat euroatlantike.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për prosperitetin dhe paqen e Kosovës së pavarur, si një shtet që do të jetë shtëpi e të gjitha komuniteteve dhe i cili do të jetojë në paqe me të gjitha vendet fqinje”,
tha Xhonson.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin angazhimet e vendeve të Ballkanit kundër rrjeteve kriminale që merren me kontrabandë e trafikime nga më të ndryshmet.

“Mandati im është që ta promovoj bashkëpunim ndërkombëtar kundër kërcënimeve transnacionale dhe rrjeteve kriminale të krimit të organizuar, siç janë ato të trafikimit me narkotikë dhe qenie njerëzore
”, theksoi Xhonson.

Në këtë aspekt, Xhonson tha se Shtetet e Bashkuara do t'i ndihmojnë institucionet e Kosovës që t’i rrisin kapacitetet e tyre për luftimin e këtyre dukurive.

Zyrtari amerikan tha se nuk do të dëshironte të komentonte raste të veçanta, siç janë hetimet e fundit që ka iniciuar EULEX-i ndaj zyrtarëve vendorë.
Por, sipas tij, çfarëdo hetimi nuk mund të rezultojë me destabilizimin e Kosovës, nëse ajo do të arrijë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe të vendosë sundimin e ligjit.

“Policia e Kosovës dhe organet tjera është me rëndësi që t’i marrin përsipër obligimet dhe përgjegjësitë në mënyrë që ta luftojnë korrupsionin shumë seriozisht”,
tha Xhonson.

Ndërkohë që për Kosovën, shtoi Xhonson, nuk do të mungojë as ndihma e partnerëve amerikanë dhe atyre evropianë në përmbushjen e këtyre qëllimeve.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit.

Ai u shpreh se do të ketë bashkëpunim edhe me EULEX-in, Qeveritë e vendeve mike, si edhe ato të rajonit me qëllim të luftimit të përbashkët të kërcënimeve që mund të vijnë nga rrjetet e krimit transnacional.

“Qeveria e Kosovës ka vullnet, gatishmëri dhe guxim për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe dukuritë tjera negative dhe në këtë drejtim e ka dhe do ta ketë rolin prijës me bashkëpunimin e EULEX-it dhe të tjerëve, duke dashur që kjo luftë dhe ky angazhim të merren si pika pozitive për Kosovën, qytetarët e saj dhe vendin në tërësi”
, theksoi Kuçi.

Ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e zbatimit të Ligjit për narkotikë në nivel ndërkombëtar, Dejvid Xhonson, zhvilloi takime të ndara edhe me ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe atë të Drejtësisë, Haki Demolli.

Përveç çështjeve të bashkëpunimit në luftimin e krimit tejkufitar në rajon, zyrtari amerikan përsëriti se Shtetet e Bashkuara duan ta shohin një Kosovë stabile, pjesë të integruar në strukturat euroatlantike.
XS
SM
MD
LG