Ndërlidhjet

A do të ndryshohet Kodi Penal?


Ky vit mund të sjellë ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale. Autoritetet thonë se ndryshimet janë të domosdoshme, meqë të dy kodet duhet t’i përshtatet realitetit të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.


Gjatë këtij viti Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale mund të pësojnë ndryshime. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ligjvënësit mendojnë se ndryshimi i këtyre dy kodeve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është më se i domosdoshëm.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se të dy kodet do të jenë më bashkëkohore dhe do të garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Tani kemi ardhur në përfundim që Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, duhet të amendametohen. E kemi vënë në strategjinë legjislative dhe kemi ardhur në draftin final”.

“Ajo çka dua të them është se ka nevojë për një harmonizim, jo vetëm vendor, por edhe harmonizim me qasjen ndërkombëtare ndaj disa fenomeneve apo dukurive se si janë të rregulluara në shtetet e ndryshme të botës”.

“Duam të besojmë shumë që brenda këtij viti do të miratohen në Qeveri dhe do të procedohen në Kuvend, dy kode që do të jenë bashkëkohore por, njëkohësisht që garantojnë liritë e të drejtat, që garantojnë edhe dhënien, por edhe kufizimin e pushtetev
e”, thotë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se Qeveria me ekspertët e saj, ka kryer të gjitha obligimet lidhur me punët që i takojnë rreth ndryshimeve të këtyre kodeve. Sipas tij, tash për tash, është duke u punuar për një harmonizim ndërkombëtar.

“Janë disa çështje që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut, disa çështje që kanë të bëjnë me procedurat që duhet të respektohen gjatë proceseve të ndryshme dhe janë çështje që kanë të bëjnë, po ashtu, me qasjet e ndryshme që mund t’i kenë në botën anglo-sanksone dhe atë kontinentale”.

“Dhe, në këtë drejtim jemi duke bërë një orientim të mirë t’i respektojme këto kategori po, njëkohësisht, do të thosha që respektohet edhe ambienti ku veprohet në Kosovë”
, thekson Kuçi.

Edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, konsideron se ndryshimet në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale janë të nevojshme.

Hyseni shpreh mendimin se deri në fund të këtij viti, Kosova do t’i ketë të ndryshuar edhe Kodin Penal dhe atë të Proceduarës Penale.

“Besoj që shumë shpejt, para muajit shtator, do ta lexojmë në Kuvend. Unë konsideroj që do të ketë ndryshime të konsiderueshme për arsye se Kosova ka vepruar në bazë të rregulloreve të faktorit ndërkombëtar, të cilat janë aprovuar në fillim”.

“Tani ne kemi edhe ligje vendore dhe natyrisht që Kodi do t’i përmbledhë të gjitha dispozitat e ligjeve të tjera dhe do të ketë një kodifikim të përgjithshëm për legjislacionin në fuqi që lidhet me çështjet penale”
, sqaron Hyseni.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, numëron një sërë arsyesh, pse, sipas saj, duhet të amendamentohen Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale.

“Së pari, sepse ka ndodhur pavarësia e Kosovës dhe shumë kompetenca që i kishte para pavarësisë, përfaqësuesi i UNMIK-ut, për shkak të atyre kompetencave, nuk lejohej që në Kod Penal të inkorporoheshin disa vepra penale, siç do të ishin veprat penale mbrojtja e kufirit, mbrojtja e personaliteteve të ndryshme, zyrtarët e lartë etj. Sa i përket Kodit të Procedurës Penale besoj se edhe ky ka nevojë për ndryshime”,
shprehet Kelmendi.

Deputetja Nekibe Kelmendi konsideron se nëse Kodi Penal dhe ai i procedurës Penale zbatohen në përpikëri, do të japin efektin e duhur.

“Kodet, nëse, zbatohen sigurisht që do ta japin efektin e vet. Nëse nuk zbatohen, as ligji më i mirë, e as ligji më i keq nuk është i dobishëm për një shoqëri”,
thekson Kelmendi.

Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale janë aprovuar më 6 korrik të vitit 2003, nga ish-kreu i UNMIK-ut, Michael Stenier. Këto dy kode kanë hyrë në fuqi në vitin 2004 pas punës trivjeçare aktive të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë të jurisprudencës.

Ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Kosovës, nga disa ekspertë cilësohen si shumë të rëndësishme për shtetësisë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG