Besa, e cila nga shqiptarët konsiderohet si institucion kryesor dhe shtyllë e kodit të pashkruar, që njihet si Kanuni i Lekë Dukagjinit, është tema që e trajton filmi me po të njëjtin emër, i prodhuar nga kinematografia serbe, me regji të Sërgjan Karanoviqit.
Ky film këto ditë është duke u shfaqur në kinemanë ABC në Prishtinë, por pavarësisht pritjeve të drejtuesve të kësaj kinemaje, ai nuk ka shënuar ndonjë shikueshmëri të lartë nga publiku kosovar.
Milazim Salihu, drejtor i kompanisë “Genci”, që menaxhon dy kinematë e qytetit në Prishtinë, thotë se që nga shfaqja premierë, më 28 maj, e filmit “Besa”, atë e kanë shikuar rreth 600 shikues, gjë që, sipas tij, është numër tejet i vogël.
Por, Salihu shpjegon se shikueshmëria e ulët nuk është problem vetëm për filmin “Besa”, por edhe për filmat tjerë që shfaqen në këtë kinema, madje edhe për premierat botërore.
“Problemi i shikueshmërisë dhe i kinemasë në Kosovë, tashmë disa vite e ka humbur rrugën. Nuk merret kush me këtë profil. Filmi shfaqet në dy termine. Gjithsej në ditë vijnë 25 shikues ta shikojnë filmin. Ky numër është i pamjaftueshëm për një film të tipit të tillë. Ky film, ‘Besa’, ka vlera artistike dhe ai do ta gjejë rrugën e tij nëpër festivale të ndryshme”.
“Te shikuesit e Kosovës nuk e gjeti, por nuk kemi arsye - kur edhe profesorët e Akademisë që ligjërojnë, nuk kanë ardhur ta shohin kolegun e tyre, të cilin e kanë pasur edhe profesor, t’ia shohin punën, atëherë çfarë të pritet prej shikuesve që nuk e njohin kush është Sërgjan Karanoviqi”, thotë Salihu.
Salihu shton se është i dëshpëruar edhe me mungesën e regjisorit Karanoviq dhe aktorëve Miki Manojloviq dhe Iva Kranjc, për të cilët ishte paralajmëruar se do të ishin të pranishëm në premierën e filmit “Besa” në Prishtinë.
“Kanë premtuar, edhe regjisori edhe aktorët e roleve kryesore. Pikërisht, ne e kemi shtyrë premierën më 28 (maj) pas Festivalit të Kanës, sepse e kemi ditur se Miki Manojloviq është në Kanë”.
“Pra, e kemi bërë më 28, në mënyrë që të vijnë në Prishtinë mysafirë regjisori dhe të dy aktorët. Mbështetjen e kemi pasur prej Ministrisë (së Kulturës), që të gjitha shpenzimet e ardhjes dhe vajtjes së mysafirëve t’i heqë ajo. Por, nuk erdhën”, sqaron Salihu.
Në anën tjetër, Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”, thotë se e ka shikuar filmin “Besa” dhe e vlerëson atë si film interesant për temën, mënyrën e trajtimit, si dhe lojën e aktorëve.
“Është një film krejt i pazakonshëm edhe për kinematografinë serbe, por edhe për shikuesit shqiptarë të Kosovës, sepse trajton një institucion sikurse është Besa, natyrisht, nga këndi serb i shikimit”.
“Nuk ka aty diçka negative, por është ai këndi me paragjykime i serbëve që e shohin shqiptarin e fillim-shekullit (të kaluar). Mund të jetë interesante për shikuesit serbë”.
“Por, unë nuk mendoj se është shumë interesant për shikuesit shqiptarë, sepse nëse do ta shihnin një film për ‘Besën’, atëherë më me dëshirë do ta shihnin një film se si e trajtojnë shqiptarët, sesa si e trajtojnë serbët... edhe pse Karanoviqi është një regjisor i mirë-mendoj unë”, vlerëson Mehmetaj.
Ndryshe, në filmin “Besa” mbretëron e folmja në gjuhën serbe, ndërkohë që gjuha sllovene, gjermane dhe ajo shqipe, ndonëse kjo e fundit jo në mënyrë të pastër, përdoren në formë episodike. Për shikuesit shqiptarë të këtij filmi, ai është titruar mjaft besnikërisht në gjuhën shqipe.
Shikuesit e paktë shqiptarë të këtij filmi thonë se për ta ka qenë interesante mënyra e trajtimit të besës, si kod i nderit të shqiptarëve, nga një regjisor serb. Edita Kusari e vlerëson filmin e Karanoviqit si të pëlqyeshëm.
“Filmi më ka pëlqyer shumë. Në fillim kam qenë pak e dëshpëruar, sepse kemi qenë vetëm tre shikues. Filmi pasqyron bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve. Paraqet, në mënyrë shumë autentike dhe shumë origjinale, përbuzjen nga ana e serbëve ndaj shqiptarëve”.
“Në anën tjetër, e paraqet edhe një këndvështrim nga sllavët tjerë, në këtë rast nga Sllovenia, për shqiptarët, e cila si gjithmonë i shikon në mënyrë më objektive dhe në mënyrë më origjinale e respekton institucionin e Besës”.
Mendim të ngjashëm ka edhe Arben Lila:
“E ka trajtuar relativisht drejt. Sidomos me paraqitjen e paragjykimeve të popullatës së asaj kohe. Unë nuk erdha me paragjykim. Më tepër erdha të shoh rolin se si do ta luajë Miki (Manojloviq). Dhe, më tepër më bëri përshtypje lidhja emocionale e dy aktorëve. Ishin tri sekuenca, tri momente kyçe në film, në të cilat Azemi (personazhi kryesor) nuk e theu ‘Besën’”.
Ndërkaq, Drita Hajdari thotë se për ta shikuar filmin “Besa”, e kanë tërhequr emri i regjisorit, si dhe emrat e aktorëve.
“Tash, pasi që e kam shikuar filmin, nuk jam penduar, sepse me të vërtetë është një film i fortë, jo i rëndomtë. Është diçka, një tematikë e tillë, që me të vërtetë s’kam pasur rast më parë ta shikoj”.
“Mendoj se filmi është punuar në mënyrë korrekte, nuk ka përbuzje, paragjykime. Por, mendoj se është mjaft real dhe kam përshtypje shumë të mira”, pohon Drita Hajdari.
Sidoqoftë, filmi “Besa” i regjisorit Karanoviq, është filmi i parë serb, i cili shfaqet në Kosovë, pas përfundimit të luftës. Ky film do të shfaqet deri në fund të këtij muaji dhe, sipas drejtuesve të kinemasë ABC, më pas do të hiqet nga repertori i shfaqjeve.