Ndërlidhjet

logo-print

Ivanov: Greqia të mos e keqpërdorë veton


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Greqia të mos e keqpërdorë veton në rastin e kontestit me Maqedoninë, pasi një veprim i këtillë do të shkaktonte një reagim zinxhiror, që do të rikthente antagonizmat politikë të shekullit XIX, deklaroi presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pas njoftimeve se Maqedonia nuk do të marrë datën për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, në takimin e Këshillit të ministrave, më 17 qershor. Ndërsa, nga Këshilli euroatlantik thanë se Maqedonia nuk është në pozitë të fajësojë, por duhet të ndërmarrë nisma për zgjidhjen e kontestit.


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i bëri thirrje Greqisë që të mos e keqpërdorë veton për të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Ivanov tha se Evropa duhet t'u qëndrojë besnike përcaktimeve vizionit për bashkimin e kontinentit, pasi pa Ballkanin dhe Maqedoninë, Bashkimi Evropian do të ishte një histori e pambaruar.

“Çdo keqpërdorim i ri i vetos, si parim i funksionimit mes shteteve evropiane, e në veçanti me ato ballkanike, është akt antihistorik dhe antievropian”.

“Nëse bllokadat pranohen si praktika të reja, ato do të shkaktonin një reagim të rrezikshëm zinxhiror të vetove, të cilat sërish do ta shpinin në antagonizmat politikë të shekullit XIX”,
deklaroi presidentit Ivanov duke inkurajuar partnerët evropianë që në qasjen e tyre ndaj Ballkanit dhe Maqedonisë, të jenë deri në fund parimor dhe të mos e pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Reagimi i presidentit Ivanov erdhi pas njoftimeve nga Brukseli se edhe në gjashtë muajt e ardhshëm, Maqedonia nuk pritet të marrë ndonjë lajm për çeljen e mundshme të negociatave për anëtarësim, pa zgjidhur më parë mosmarrëveshjen me Greqinë.

Kryeministri Gruevski ditë më parë tha se kontesti me Greqinë mund të zgjidhet vetëm nëse zgjidhja që do të ofrohej, nuk rrezikon gjuhën dhe identitetin kombëtar maqedonas.

Ndërkohë, partitë politike opozitare maqedonase, për gjendjen e krijuar fajësuan pikërisht Gruevskin për “mungesë transparence dhe dezinformim të opinionit me deklarimet se pranimi eventual i zgjidhjes së ofruar për emrin, Maqedonia Veriore, do të nënkuptonte edhe ndryshimin e identitetit kombëtar”.

Duke i komentuar këto zhvillime, Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit euroatlantik thotë se Maqedonia është ajo, e cila duhet të ndërmarrë nisma për zgjidhjen e kontestit, pasi Greqia, sipas tij, është në pozitë shumë më të favorshme.

Neglizhenca e institucioneve për arritjen e zgjidhjes, sipas Ramadanit, mund t’i kushtojë vendit në humbjen e simpative nga ndërkombëtarët.

“Greqisë nuk i bëhet vonë, ajo është në NATO, është në Bashkimin Evropian. Kështu që Maqedonisë i duhet edhe iniciativë, edhe punë konkrete në drejtim të arritjes së kompromisit për emrin”.

“Vendi gjendet në situatë kur edhe ata që kishin simpati, respektivisht ata që ishin për ta ndihmuar Maqedoninë në këtë çështje, dalëngadalë do të distancohen dhe përfundimisht do ta krijojnë bindjen se Maqedonia si shtet nuk është e interesuar që të ketë vendin e saj në NATO dhe në BE
”, tha zoti Ramadani.

Ai kërkoi në veçanti nga partitë shqiptare që të bëjnë trysni më të mëdha në ndryshimin e kursit të Qeverisë aktuale, pasi shqiptarët, sipas tij, janë ata që më së shumti do të pësojnë nga mosintegrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike.



XS
SM
MD
LG