Ndërlidhjet

NATO: Situata në Kosovë stabile, me incidente të rastit


Pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në Bruksel, 11 qershor 2010.
Pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në Bruksel, 11 qershor 2010.

Situata në Kosovë është stabile, pavarësisht disa incidenteve të rastit, thuhet në deklaratën e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Ky takim dyditësh i ministrave përfundoi të premten.


Në deklaratën përfundimtare të miratuar nga ministrat, e të lëshuar sot, thuhet se situata në Ballkan, e sidomos ajo në Kosovë, është diskutuar edhe me partnerët e NATO-s, që janë në misionin e KFOR-it.

Pavarësisht disa incidenteve të kohëpaskohshme të sigurisë, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet në përgjithësi stabile, thuhet në deklaratë.

Përgjigja ndaj trazirave të fundit në Mitrovicë, demonstron edhe nevojën për vazhdimin e vigjilencës, por edhe të rritjes së kapaciteteve të Policisë së Kosovës, thuhet në këtë deklaratë.

Po ashtu, ministrat e Mbrojtjes, me këtë deklaratë, kanë mirëpritur edhe kalimin e suksesshëm të përgjegjësisë për të mbrojtur disa objekte fetare nga ana e Policisë së Kosovës, të cilat deri më tani i ka pasur në ruajtje KFOR-i.

Ministrat thanë se ky proces do të vazhdojë sipas nevojës dhe sipas situatës në terren. Po ashtu, thuhet se ministrat kanë diskutuar se si të vazhdohet për vendimet e ardhshme që të kalohet në fazat e ardhshme të transformimit të KFOR-it në një forcë më mobile dhe më të vogël, por kanë thënë se kjo do të bëhet vetëm duke u bazuar në analizën e kushteve që lejojnë një gjë të tillë.

Më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se NATO-ja garanton se nuk do të ndërmarrë asnjë hap, i cili do të mund të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Po ashtu, shumë diplomatë të NATO-s kanë thënë se shtetet anëtare pavarësisht dëshirës që ta zvogëlojnë praninë e tyre në Kosovë, por edhe në Afganistan, dhe pavarësisht presionit financiar, kanë mbetur të gatshëm t’i përmbahen politikës “së bashku kemi hyrë dhe së bashku do të dalim nga Kosova”.

Edhe nëse disa shtete do t’i largojnë në tërësi trupat e tyre në Kosovë, NATO-ja thotë se gjithmonë do të ketë aq forcë sa do të ketë nevojë për t’u përgjigjur ndaj çdo sfide të sigurisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG