Ndërlidhjet

Në Kosovë ekzistojnë disa organizata joqeveritare, që merren me trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit.

Përfaqësuese të këtyre organizatave pohojnë se në këto qendra, viktimave u mundësohet siguria fizike, mbështetja sociale, akomodimi, shërbimi mjekësor-psikologjik, edukimi dhe punësimi.

Në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve janë të strehuara 8 viktima të trafikimit, kryesisht të moshës se re, thotë Naime Sherifi, drejtoreshë ekzekutive në këtë qendër.

Strehim, varësisht prej nevojave të tyre... trajtim nga psikologu, shërbime shëndetësore... në rrethanat që ne i kemi, ndonjë kurs kompjuteri, eventualisht punë dore. Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, vitin e kaluar, por edhe këtë vit, po punon në rritjen e kualitetit të shërbimeve për viktimat e trafikimit“, pohon Sherifi.

Edhe në Gjakovë ekziston një strehimore, e quajtur “Shtëpia e Sigurt”, në të cilën qëndrojnë viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit të moshës minore.

Sakibe Doli, udhëheqëse e kësaj qendre, thotë se misioni i kësaj shtëpie është që përmes programeve edukuese, mbështetjes psiko-sociale, juridike e shëndetësore, të kontribuojë në integrimin e viktimave në jetën normale.

Ajo thotë se janë bërë përparime në ofrimin e kujdesit për viktimat, porse mbetet ende punë për t’u bërë.

“Pas fazës rehabilituese, fillon edhe ngritja profesionale e tyre. Brenda strehimores kemi kurse afat-shkurtra, të cilat nuk mjaftojnë për të rimëkëmbur viktimën. Neve na duhen donacione më shumë, ose të bëhen programe të posaçme për këto raste, sepse, përndryshe, ato mund të futen prapë në rrugën e trafikimit”, shprehet Doli.

Viktimat e trafikimit trajtohen në këto qendra deri në rehabilitimin e tyre, proces ky që për përfaqësues të organizatave joqeveritare vlerësohet si një ndër sfidat kryesore të institucioneve kosovare.

Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, thotë se viktimat, pasi ta lëshojnë qendrën, prapë i ekspozohen rrezikut për ritrafikim.

Aspak nuk është e lehtë dhe gjithmonë i janë të ekspozuara rrezikut që të rikthehen aty ku kanë qenë, të ritrafikohen”.

“Strehimoret bëjnë aq sa kanë mundësi me kapacitetin e tyre. Mirëpo, në momentin kur ato dalin nga strehimoret, shumë pak merren me to, qoftë qendrat për punë sociale, qoftë institucionet tjera“,
thotë Sherifi.

Edhe Rrahim Tërnava, zyrtar i Sekretariatit Anti-Trafikim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se riintegrimi i viktimave të trafikimit është procesi më i vështirë për institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Por, megjithatë, ai thotë se Kosova tashmë ka strategjinë e duhur për të trajtuar trafikimin e qenieve njerëzore.

“Në kuadër të strategjisë nacionale dhe planit të veprimit, është riintegrimi i viktimave. Në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, gjatë këtij viti, kemi arritur t’i punësojmë dy viktima të trafikimit në rajonin e Prizrenit”, thekson Tërnava.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2001 e deri në vitin 2009, janë identifikuar gjithsejtë 572 viktima të trafikimit, kurse vetëm gjatë këtij viti janë identifikuar 15. Në 90 për qind të rasteve, viktimat thuhet se janë shfrytëzuar për qëllime seksuale.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG