Ndërlidhjet

Prelec: Korrupsioni - sfidë e muajve dhe vitit të ardhshëm


Marko Prelec
Marko Prelec

“Çështja e korrupsionit nuk kufizohet në rastet që po hetohen tani. Është diçka që do të jetë sfidë për Qeverinë në muajt e ardhshëm e ndoshta dhe në vitin e ardhshëm...”, thotë drejtori për Ballkanin në GNK, Marko Prelec.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Prelec, autoritetet kosovare kanë deklaruar këto ditë se do të intensifikojnë punën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në anën tjetër, hetimet e EULEX-it mbi të ashtuquajturat raste të korrupsionit në nivelin e lartë janë duke vazhduar. Madje, ka spekulime se do të ketë arrestime të zyrtarëve qeveritarë këto ditë. A mendoni se këto arrestime eventuale do të mund ta destabilizonin situatën politike në Kosovë?

MARKO PRELEC
Varet nga ajo se kush arrestohet, por mendoj se potenciali për destabilizim ekziston qartazi. Kjo nuk kufizohet në rastet, të cilat po hetohen tani.

Është diçka që do të jetë një sfidë për Qeverinë në muajt e ardhshëm e ndoshta edhe në vitin e ardhshëm, ngase këto hetime janë të gjata e komplekse dhe po vazhdojnë.

Pra, kjo është absolutisht një gjë që duhet të merret parasysh.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë roli i EULEX-it në këtë drejtim dhe, në anën tjetër, i vendimmarrësve të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë? A mendoni se nuk do të duhej të përshpejtohej lidhur me këto arrestime?

MARKO PRELEC
EULEX-i po e drejton ngjarjen. Hetimet e korrupsionit në nivel të lartë janë në duart e tyre, në duart e departamentit special, që drejtohet nga prokurorët e EULEX-it.

Mendoj se është një realitet politik në këtë moment të veçantë. EULEX-i është i vetmi që mund ta bëjë një gjë të tillë dhe mendoj se kjo dihet.

Nuk do ta inkurajoja bashkësinë ndërkombëtare që të përfshihet në çfarëdo mënyre më të hollësishme operacionale, që shkon përtej mbështetjes së fuqishme për vazhdimin e punës së EULEX-it dhe bërjes së presionit ndaj Qeverisë që ta vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in dhe t’i lejojë EULEX-it të përfundojë punën e vet.

Qeveria duhet gjithashtu të marrë përsipër barrën lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të korrupsionit; duhet të nisë t’i sigurojë dhe të punojë me prokurorët e gjyqtarët kosovarë për t’iu mundësuar atyre që ta bëjnë vetë këtë gjë.

Për më tepër, duhet të sigurohet që të zvogëlohet korrupsioni aktual dhe që korrupsioni në të ardhmen të jetë më i vogël nga ai që shohim. Parandalimi i korrupsionit - kjo është ajo që Qeveria e Kosovës me të vërtetë duhet ta bëjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Prelec, raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën flet për sfidat në këtë drejtim, për krimin e organizuar, korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Raporti nënvizon: “Kosova vuan nga imazhi i shumëpërhapur se po udhëhiqet nga një elitë politike e pabindur ndaj ligjit, e cila kontrollon çdo aspekt të shoqërisë”.

A mendoni se kjo është një përshtypje apo ka kontroll të vërtetë mbi institucione të caktuara?

MARKO PRELEC
Mendoj se nuk është një përshtypje tërësisht e drejtë, por ky është realiteti me të cilin duhet të ballafaqohet Kosova dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme për Kosovën që të marrë veprime energjike në sundimin e ligjit dhe ta luftojë këtë përshtypje.

Megjithatë, ka pak realitet në të. Ka një shkallë të lartë të shpërfilljes ligjore që arrin në niveleve të larta të Qeverisë. Është e qartë se ka një elitë, një elitë e cila është shtrirë në biznes, në krim dhe në Qeveri, përmes lidhjeve të ngushta me njerëz e nganjëherë përmes njerëzve të njëjtë, që mbajnë pozita në këto fusha.

Pra, ka një realitet në këtë, por është një përshtypje e ekzagjeruar, të cilën duhet ta luftojë Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova lidhur me sundimin e ligjit, janë përmendur edhe në Raportin e fundit të Progresit, atë të vitit 2009, të Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian, shumë shpejt, pritet t’ua dorëzojë autoriteteve kosovare draftin e parë të Raportit të Progresit për vitin 2010. Çfarë mendoni se ka ndryshuar, a shihni ndonjë ndryshim që kanë bërë institucionet kosovare?

MARKO PRELEC
Absolutisht, por mendoj se ka qenë një proces ambivalent. Udhëheqja në Kosovë, Qeveria, është përpjekur të kuptojë se sa duhet të bëjë dhe ka bërë atë që ka menduar se duhet ta bëjë. Janë marrë disa hapa të rëndësishëm e të vlefshëm.

Vazhdimi i punës në nxjerrjen e ligjeve, disa ndryshime të personelit që kanë ndodhur në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në polici, në prokurori - këto janë gjëra të mira.

Mirëpo, këto janë rregullime që janë bërë për komponentë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë dhe do të jetë një test kur të nisë puna e tyre si tërësi, në një nivel më të lartë nga ai që po shohim tani.

Ne ende nuk jemi duke e parë këtë, andaj mendoj se duhet të përmbahemi nga një gjykim mbi këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë? Cilat mbesin sfidat për EULEX-in, ICO-në dhe misionet tjera ndërkombëtare në vend?

A mendoni se, siç tha ditë më parë kryeministri Hashim Thaçi, ka kaluar koha e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën?

MARKO PRELEC
Mendoj se jo. Mendoj se kjo do të vazhdojë edhe për disa vite dhe ka të bëjë me shumë aspekte të pozitës së Kosovës. Kjo ka të bëjë me funksionimin e institucioneve të Qeverisë, çështjen e veriut dhe afirmimin e përparuar të Kosovës si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare do ta ketë një rol këtu edhe për një kohë. Çdokush pajtohet se ajo nuk mund ta zgjasë praninë e saj për aq kohë sa ka bërë në Bosnjë, ku ka qenë për një kohë tepër të gjatë, por që nga pavarësia (e Kosovës) bëhet fjalë për vetëm dy vjet.

Është shumë e pamatur të flitet për dobësimin e komponentit ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët veriun. Është paralajmëruar se në muajt e ardhshëm do të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi të ashtuquajturat çështje praktike. Kur mendoni se do të ndodhë kjo dhe a mendoni se veriu do të jetë një nga temat e diskutimit?

MARKO PRELEC
Mendoj se shumë pak do të ndodhë para dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Menjëherë pas kësaj, mendoj se do të kemi një përpjekje për të pasur një lloj dialogu.

Beogradi dhe Prishtina janë shumë larg nga përcaktimi se çfarë duan nga ky dialog dhe nga kuptimi i qëndrimeve të veta. Mendoj se duhet të dihet se nga po vjen pala tjetër, sepse këta njerëz nuk kanë biseduar për një kohë të gjatë.

Mendoj se shumë njerëz në Serbi vazhdojnë ende të luftojnë me iluzionet se ku janë në të vërtetë. Pra, procesi mund të nisë shumë shpejt, por ka gjasa të mos shohim rezultate për një kohë të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mendoni se do të jetë roli i Brukselit, Uashingtonit dhe vendeve të tjera në këtë dialog?

MARKO PRELEC
Ne mendojmë se Bashkimi Evropian duhet ta marrë rolin thelbësor, duke u nisur nga parimi se aspiratë e Kosovës, sikurse e Serbisë, është anëtarësimi sa më parë i tyre në BE. Vetë kjo ia jep primatin ndërmjetësimit apo lehtësimit evropian dhe një parim gjithashtu i mirë është se aktori dominues në rajon është Evropa.

Shtetet e Bashkuara, ndoshta edhe Rusia, e ndoshta, me një rol teknik mbështetës, edhe Kombet e Bashkuara, mund të marrin pjesë në njëfarë mënyre.

Do të varet nga Kosova dhe Serbia për të vendosur se si duan ta luajnë këtë, por nuk mund të shmanget BE-ja dhe nuk duhet bërë përpjekje që të ndodhë kjo.
XS
SM
MD
LG