Ndërlidhjet

“Vetëvendosje” paralajmëron protesta për lirimin e Kurtit


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar arrestimin e liderit të saj, Albin Kurti, si shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Duke e cilësuar si proces të montuar politik, "Vetëvendosje" ka thirrur protestë për lirimin e Kurtit në ditën e fillimit të gjykimit ndaj tij.


Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar organizimin e një proteste në ditën e gjykimit të liderit të saj, Albin Kurti.

Arrestimin e djeshëm të Kurtit dhe të disa aktivistëve të tjerë, kjo lëvizje e ka cilësuar si politik dhe ka ftuar 175 mijë nënshkruesit e peticionit për lirimin e Albin Kurtit nga procesi gjyqësor, që më 21 qershor, kur është paralajmëruar fillimi i gjykimit, të dalin dhe të protestojnë për të kërkuar ndërprerjen e procesit dhe lirimin e tij pa kushte.

Duke iu referuar zhvillimeve të djeshme që pasuan arrestimin e Kurtit, njëri nga aktivistët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tha gjatë një konference për media se pushteti aktual, përfshirë edhe praninë ndërkombëtare, në vend se të luftojnë krimin e organizuar dhe strukturat ilegale të pushtetit në veri, po luftojnë organizimin popullor.

“Është një proces tejet tendencioz politikisht dhe procesit të tillë duhet t’i rezistohet në çdo moment. Këtë e kanë shprehur edhe 175 mijë firma nga qytetarët anembanë vendeve të banuara me shqiptarë".

"Natyra e tillë e veprimit të pushtetit të sotëm ndaj veprimtarëve politikë e ka sjellë situatën deri këtu ku është dhe kjo frymë e përgjithshme do të dërgojë në turpe të tjera që po ndodhin dhe do të ndodhin vazhdimisht në shoqërinë tonë. Këto turpe mund të ndalen vetëm me një reagim qytetar”,
tha Aliu.

Arrestimin e Kurtit, Aliu e cilësoi si një refleksion që vjen nga frika që, sipas tij, ka kapluar pushtetin aktual pas paralajmërimeve të "Vetëvendosjes" për t’u përfshirë në zgjedhje dhe në garën politike.

Në këtë frymë ishte edhe deklarata e aktivistit tjetër të "Vetëvendosjes", Glauk Konjufca, i cili tha se pushteti i korruptuar në Kosovë po mban në jetë strukturat paralele në veri, si dhe po tregon paaftësi në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Për ndërhyrjen brutale dhe aq të dhunshme të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje mban për përgjegjës kreun e Qeverisë, Hashim Thaçi, shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo, dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Piter Feith".


"Tash që lëvizja jonë e kumtoi vendimin e debatit lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politikë të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikurse u pa gjatë ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje”, theksoi Konjufca.

Në bazë të një akuze të ngritur ndaj tij, Albin Kurti akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”. Kurse, akuza “për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria.

Duke e cilësuar këtë si proces të montuar politik, "Vetëvendosje", në formë peticioni, ka organizuar mbledhjen e 175 mijë nënshkrimeve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës kundër këtij procesi.

Arrestimi i Kurtit pasoi mungesën e tij në dhjetë seancat e thirrura gjyqësore. Tani kur ai është arrestuar, seanca e radhës është thirrur për 21 qershor.


Policia arreston Kurtin


  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG