Ndërlidhjet

Haradinaj: Kyçja e "Vetëvendosjes" në politikë - legjitime


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj, e ka quajtur legjitim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u inkuadruar në skenën politike. Sa i përket arrestimit të liderit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, zoti Haradinaj ka thënë se ashtu siç i ka të drejtat e veta Kurti, ashtu edhe policia i ka të drejtat dhe duhet ta ushtrojë funksionin e saj.

“Vendimi për t’u kyçur në jetën politike është legjitim, është diçka e zakonshme dhe e drejtë e 'Vetëvendosjes'. Veprimi i ndalimit ose arrestimit të Albin Kurtit, liderit të 'Vetëvendosjes', mund të shpjegohet në dy nivele. Nëse ka urdhër-arrest, policia e kryen punën e vet. Do të thotë, duhet ta kuptojmë këtë; ashtu si Albini që i ka të drejtat e veta në vend, po ashtu edhe polici i ka të drejtat e veta edhe ai ushtron një funksion”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, “Vetëvendosja” duhet të vendosë nëse do që të funksionojë në harmoni me ligjin.

“'Vetëvendosja', kam thënë edhe më herët, krahas aftësimit për t’i ndihmuar politikisht vendit, duhet ta gjejë një zgjidhje edhe në raportin e vet me ligjin - a dëshiron t’i ushtrojë funksionet e veta në harmoni me ligjin. Pra, është në obligim të 'Vetëvendosjes' që edhe kësaj çështjeje t'i jepet zgjidhje. Besoj se kjo është në të mirën e vendit”, ka thënë Haradinaj.
XS
SM
MD
LG