Ndërlidhjet

Kurti dënohet me 9 muaj burgim


Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje"

Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje"

Paneli i gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka dënuar me 9 muaj burgim liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Bazuar në dëshmitë e paraqitura dhe materialet e mbledhura, trupi gjykues i ka shqiptuar Kurtit dënimin për aktakuzën për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Por, Kurti është lënë i lirë, pasi që ai kohë më parë ka mbajtur 10 muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak.



Paneli i gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka dënuar me 9 muaj burgim Albin Kurtin, lider i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Por, Kurti është lënë i lirë, pasi që ai, kohë më parë ka mbajtur 10 muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Duke u bazuar në dëshmitë e paraqitura dhe materialet e mbledhura, trupi gjykues i ka shqiptuar Albin Kurtit dënimin për aktakuzën e pengimit të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjykata ka arsyetuar vendimin e saj se Kurti ka urdhëruar protestuesit të thyejnë kordonin e policisë dhe ka ftuar protestuesit të marshojnë.

Kurti pas lirimit ka thënë se shpallja e tij fajtor nuk është asgjë tjetër, veçse, siç është shprehur ai, një mbulesë legale dhe juridike e atyre që e kanë akuzuar.

Mendoj se shpallja fajtor që ma bënë për akuzën e dytë, nuk është kurrfarë drejtësie, por është, thjesht, tendencë e tyre për ta mbuluar legalisht për letrat e tyre të brendshme, padrejtësinë e tashme”.

“Meqenëse unë kam qëndruar në paraburgim gjithsej 10 muaj, 5 muaj në burg dhe 5 muaj në arrest shtëpiak, këta e shqiptuan një dënim, i cili pak a shumë për letrat e tyre të brendshme është mbulesë legale dhe juridike. Pra, ky vendim i tyre nuk ka të bëjë as me 10 shkurtin e vitit 2007, as me rastin kundër meje, por me letrat e tyre”,
ka thënë Kurti.

Prokuroria, gjatë seancës të së hënës tërhoqi aktakuzën e parë që kishte të bënte me pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, ndërsa të tretën e kishte hequr në seancat e kaluara që kishte të bënte me thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës.

Kurti gjatë seancave të mbajtura ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, të cilat rëndonin mbi të.

I kam hedhur poshtë të gjitha akuzat e tyre, edhe asnjëri prej tre policëve që kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë, Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini, nuk i kanë konfirmuar pohimet e Prokurorisë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, gjatë gjithë seancës së sotme u pa se akuzat ndaj meje, madje, nuk vijnë aq nga prokurori, sa vijnë nga vetë gjykatësi i EULEX-it”, ka thënë Kurti pas shqiptimit të dënimit prej 9 muajsh.

Seanca gjyqësore e së hënës filloi pas një numri shtyrjesh, meqë lideri i “Vetëvendosjes” nuk paraqitej në gjykatë me arsyetimin se nuk e njihte institucionin e drejtuar nga EULEX-i.

Kryetari i trupit gjykues, Fedinando De Mongota, ka thënë se i akuzuari do t’i paguajë shpenzimet e gjykatës.

Procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit pati rifilluar më 15 shkurt të këtij viti.



* * * * *

Kurti: Nuk e njoh EULEX-in

Dy ditë pas arrestimit, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, është paraqitur para trupit gjykues, në seancën që EULEX-i e ka caktuar për sot, edhe pse ajo ishte paraparë të mbahej më 21 qershor. Kryetari i trupit gjykues, Ferdinando De Mongota, ka thënë se seanca mbahet më herët, pasi që, siç është shprehur ai, nuk dëshironte që zotit Kurti t’i zgjatej paraburgimi.

Albin Kurti, fillimisht, ka kundërshtuar të flasë me trupin gjykues, duke thënë se nuk e pranon misionin e EULEX-it dhe nuk e njeh as trupin gjykues në përbërje të gjyqtarëve e prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Megjithatë, më vonë, Kurti ka dhënë arsyet e tij pse nuk është paraqitur në 10 seancat e kaluara. Mes tjerash ai ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk është një mision teknik, por politik dhe jo demokratik.

“Unë nuk u paraqita në seancën e parë gjyqësore, sepse unë nuk e njoh EULEX-in dhe ngase ky rast është i motivuar politikisht. Rifillimi i rastit vetëm konfirmon që EULEX-i është pushtet jodemokratik dhe se ky është një trup gjyqësor i padrejtë”.

“Unë do ta pranoja ftesën prej një gjykate të përbërë prej vendasve të mi, në një Kosovë të lirë nga sundimi ndërkombëtar, të qeverisur nga populli, bazuar në parimet e drejtësisë dhe vetëvendosjes, por unë do ta kufizoj komunikimin tim me këtë gjykatë të EULEX-it, vetëm deri në masën që e mendoj të nevojshme për të përfaqësuar Lëvizjen ‘Vetëvendosje!’”
, ka thënë Kurti para trupit gjykues, për të shtuar se sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka pavarësi, llogaridhënie dhe transparencë.

“Parim themelor i sovranitetit është që vullneti i popullit i jep ligjit legjitimitetin; fuqitë e EULEX-it dhe kompetencat e kësaj gjykate janë të padrejta, arbitrare dhe të paligjshme”
, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Ali Rexha, ka thënë se Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka vendosur që të heqë dorë edhe nga pika një e aktakuzës, me të cilën ngarkohet zoti Kurti.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Kristina Herodes, zëdhënëse e komponentës së drejtësisë në EULEX.

Pala e prokurorëve kërkoi që të hiqen dy akuza. Kjo do të thotë se ka mbetur vetëm një akuzë dhe tani po përpiqen t’i gjejnë faktet për akuzën e dytë - akuzës për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave”.

“Dëshmitari i parë dha dëshminë dhe tani filloi dëshmitari i dytë dhe do të ketë një dëshmitar të tretë. Zoti Kurti kërkoi shkarkimin e panelit, por kryetari i Gjykatës së Qarkut dhe kreu i gjyqtarëve të EULEX-it refuzuan shkarkimin e panelit. Kjo do të thotë se gjykimi ka nisur dhe gjykata po merret me të”
, ka deklaruar Herodes.

Kurti fillimisht u akuzua “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.

Mbi të tani rëndon pika e dytë e aktakuzës. Për këtë akuzë, kryetari i trupit gjykues, Demongota, ka thënë se zoti Kurti mund të dënohet deri me tre vjet burg ose gjobë.

Ndryshe, Lëvizja “Vetëvendosje” e ka cilësuar arrestimin e liderit të saj, Albin Kurti, si shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Duke e cilësuar si proces të montuar politik, "Vetëvendosje" ka thirrur protestë për lirimin e Kurtit me datën 21 qershor.


Lexoni edhe këto: Arrestohet Albin Kurti
“Vetëvendosje” paralajmëron protesta për lirimin e Kurtit
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG